E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjetan Keta, kampioni shqiptar i ringut në boks dhe Tai e Kikboks

Të gjithë e mbajnë mend Gjetan Ketën: ai së bashku me vëllain-trajner, Ismailin, promovuan Tai dhe Kikboksing në vendin tonë. Më 28 shtator 2007, 25-vjeçari nga Dibra fitoi në Tiranë turneun kualifikues për Kampionatin Botëror në Taiboks. Që prej asaj periudhe, Gjetani iu përkushtua edhe pasionit për boksin, duke krijuar iluzionin se tashmë karriera e tij kishte marrë një drejtim ndryshe. Por, për çudinë e të gjithëve, ai vazhdon t‘i praktikojë të dyja disiplinat e ringut, duke qenë shumë i suksesshëm. "Kam pasur gjithmonë dëshirë të bëhem kampion në boks, pasi është sporti më i njohur dhe të ardhurat janë më të larta se në Tai dhe Kikboks. Trajneri dhe vëllai im, Ismaili, si dhe shumë persona të tjerë të afërt me mua, më kanë thënë shpesh që unë jam më i prirë për boks", deklaroi Keta për "boxalb.com". "Megjithatë, unë dyluftoj ende në Kikboks dhe Taiboks, e pikërisht në fund të qershorit kam marrë një ofertë nga Federata Holandeze e K-1, që të ndeshem në Afrikë dhe më pas në Kampionatin Botëror në Kore, ku do prezantohem me flamurin shqiptar". Në tre ndeshjet e para si boksier, dibrani ka fituar me "knock-out" që në raundin e parë. Një fillim për t‘u pasur zili: "Falë Zotit kam pasur rezultate të mira. Unë ia dedikoj këtë sukses në radhë të parë Zotit, pastaj vëllait që e kam pasur idhull që i vogël dhe që më krijoi mundësinë të përgatitem në mënyrë profesionale, si dhe publikut shqiptar, vazhdoi më tej Gjetani. Që prej momentit kur u ndesha në Shqipëri, në shtator të vitit 2007, për kualifikueset e Kampionatit Botëror në Taiboks, respekti dhe përkrahja e publikut shqiptar më kanë shërbyer për t‘u stërvitur edhe me më shumë vullnet". Për të ardhmen është ende herët për të folur, megjithatë talenti shqiptar i ringut di se çfarë kërkon nga vetja. "Di që kam dëshirë të merrem me të dyja sportet dhe deri më tani kam qenë shumë i suksesshëm. Synoj me patjetër që të dyluftoj në Japoni kundra 8-shes më të mirë në botë në Tai dhe Kikboks për flamurin shqiptar dhe pastaj dua t‘i kthehem boksit, theksoi 25-vjeçari. Siç e thashë dhe më sipër, jam i ftuar në fund të qershorit në Afrikë për Tai dhe Kikboks, ndërsa ndeshja tjetër është më 5 korrik në Mynih, turneu kualifikues për tetë Tai dhe Kikboksierëve më të mirë në Gjermani në peshën 72 kilogramë. Fituesit i jepet e drejta të bëjë ndeshje në ditëlindjen e Princit të Tajlandës. Atje takohen 8 më të mirët e botës. Shpresoj të zë vendin e parë". Por, Gjetani nuk i harron as ndeshjet në Tiranë, ku realisht ka mbetur i mahnitur nga përkrahja e publikut, pavarësisht se Tai dhe Kikboksi nuk është një sport i praktikuar në vendin tonë: "Në fund të vitit 2008, nga Ferderata WMC e Tai dhe Kikboksit mund të organizohet sërish një turne në Tiranë. Megjithatë, dëshira ime ishte që këtë radhë përpara publikut shqiptar të zhvilloja një ndeshje boksi".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›