E Shtunë, 31 Tetor 2026

UEFA "shtyn" anëtarësimin e Kosovës

Në Sidnei, 53 federatat anëtare të UEFA-s janë takuar duke diskutuar disa prej çështjeve që shihen me prioritet në futbollin e "kontinentit të vjetër". Aty është folur edhe për Kosovën dhe aplikimin e saj për t‘u anëtarësuar pranë FIFA-s dhe UEFA-s. Situata e futbollit në shtetin më të ri në Evropë nuk ka qenë në rendin e ditës në Kongres, por është prekur në konferencën për shtyp, të organizuar pas punimeve të ditës së premte. Nga salla është ngritur pyetja se çfarë është bërë me kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe përgjigjja ishte e shkurtër. "Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga audienca, është sqaruar se për sa i përket aplikimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, ajo do të merret në konsideratë sipas procedurës që parashikon Statuti i UEFA-s (neni 5 paragrafi 1)", citohej në faqen zyrtare të UEFA-s. Me fjalë të tjera, asgjë nuk ka lëvizur për anëtarësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kjo për faktin e thjeshtë pasi ky nen saktëson se që një shtet të njihet si anëtare e UEFA-s, më parë duhet të njihet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e Kosova është ende në pritje të "Ok" nga ky organizëm. Megjithatë, drejtuesit e FFK-së shpresojnë që FIFA ta marrë parasysh kërkesën e tyre, pasi "qeveria" botërore e futbollit nuk e ka si kusht njohjen nga OKB.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›