Gjika: Ambicie për rikandidim në Vlorë, Rama s’e ka thënë zyrtarisht bojkotin
Vlorë- Kreu i Bashkisë së Vlorës shprehu dje ambicien për të rikandiduar për një mandat të tretë. Megjithëse nga selia qendrore e PS-së vijnë sinjale se me këtë situatë politike, sidomos pas ngjarjeve të 21 janarit, nuk mund të ketë zgjedhje lokale më 8 maj, Gjika tha se: “Unë shpreh ambicien time për të vijuar projektet e nisura, të cilat për shkak të zhvillimit të vrullshëm të qytetit të Vlorës dhe për shkak të kërkesave të mëdha që ka qyteti i Vlorës, për infrastrukturën dhe për ta kthyer këtë qytet në një qytet të vizitueshëm, jo vetëm për shkak të resurseve të tij natyrore dhe gjeografike, por në një qytet me standarde europiane. Koha për dy mandate është e pamjaftueshme. Dhe pikërisht vijimi i projekteve është arsyeja për një mandat të tretë...”. Gjika shtoi se, “jam i prirur të vihem në dispozicion të vendimmarrjes për të vijuar me hapat e tjerë të rikandidimit tim”. I pyetur se si do të realizohet ky kandidim, kur Rama ka deklaruar së fundi se me këto kushte nuk ka zgjedhje vendore, Gjika u përgjigj se, “Rama e ka thënë publikisht, por ende nuk kemi një prononcim zyrtar të tij. Rama është shprehur në atë formë, nisur nga ngjarjet e kohëve të fundit. Rama ka si prioritet të tijin dhe gjithë opozitës së bashkuar, transparencën e zgjedhjeve, si kusht themelor për të garantuar standardet demokratike për zgjedhjet e ardhshme të 8 majit. Dhe më shumë sesa kërkesë e tij, apo kushtet e opozitës së bashkuar, kjo është një kërkesë e gjithë shqiptarëve, sepse vetëm duke garantuar një klimë dhe infrastrukturë zgjedhore, që prodhon votë të lirë, të drejtë dhe të barabartë, mund të arrihet standardi i vërtetë europian, që është aspiratë e të gjithë shqiptarëve”.