E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kursi, Fullani: S’ndryshon norma e interesit për lekun

 

Fabiola Çela

Pavarësisht luhatj-eve të kursit të këmbimit, banka qendrore ka vendosur që të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun. Në një deklaratë për mediat guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani është shprehur se leku është një monedhë e qëndrueshme. Sipas tij, Këshilli mbikëqyrës i BSH-së vendosi që norma bazë e interesit të mbetet 5.75 për qind. Sipas ‘skanerit’ të kryer nga BSH ka rezultuar se këtë vit ekonomia do të rritet me ritme më të ngadalta.
Kursi
Në deklaratën e tij të djeshme Fullani ka theksuar edhe një herë qëndrueshmërinë e lekut në kursin e këmbimit. “Ruajtja e fleksibilitetit të kursit të këmbimit, tendenca korrektuese e deficitit tregtar dhe atraktiviteti i kursimeve në lekë, në formën e normave më të larta të interesit dhe të inflacionit të ulët, i shërbejnë lëvizjeve të qeta dhe të kujdesshme të kursit të këmbimit, si dhe një pozicioni të fortë të lekut në periudhën afatmesme dhe afatgjatë”, tha ai.
Rritja ekonomike
Ndryshe nga parashikimet, këtë vit si pasojë e krizës globale rritja ekonomike do të jetë më e ulët. “Aktiviteti ekonomik i vendit është mbështetur gjatë dy muajve të fundit nga një përmirësim i klimës së përgjithshme botërore, nga shenja tentative përmirësimi të aktivitetit kreditues dhe nga efekti sezonal i stinës së verës. Ekonomia botërore po karakterizohet nga një ngadalësim më i moderuar i aktivitetit ekonomik në vendet e industrializuara, e shoqëruar kjo me rritjen e aktivitetit tregtar botëror dhe presione të ulëta inflacioniste në nivel botëror. Megjithëse të dhënat statistikore mbi ekonominë shqiptare mbeten ende të pakta, treguesit indirektë sugjerojnë se ajo karakterizohet nga një rritje pozitive ekonomike, por më e ngadaltë se ajo e viteve të shkuara. Ritmi i ngadaltë i rritjes së shitjeve me pakicë dhe të së ardhurave buxhetore, ulja e eksporteve, ekspansioni më i ulët i kredisë për ekonominë dhe indekset e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve tregojnë se ekonomia shqiptare është në një fazë më të ngadaltë rritjeje se ajo e vitit të shkuar”.
Deficiti
“Të ardhurat buxhetore kanë qëndruar në të njëjtat nivele të realizimit të planit me muajt paraardhës - rreth 94 për qind - ndërkohë që shpenzimet janë përmbushur me rreth 98 të planit, duke ruajtur të njëjtin nivel me tre muajt paraardhës. Ky efekt ka favorizuar zgjerimin e deficitit buxhetor në këtë periudhë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›