Gjiknuri: Certifikimin e zgjedhjeve do ta bëjë Kolegji, se plotësojmë KQZ-në
Tiranë- Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, ka deklaruar se Partia Socialiste mbetet e vendosur për të mos plotësuar KQZ-në as edhe për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve pasi sipas tij, këtë gjë do ta bëjë Kolegji Zgjedhor.
Sipas tij, përgjegjësia për paligjshmërinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i bie mazhorancës dhe premtoi se Parlamenti i ri do të zgjidhë edhe këtë ngërç që është krijuar në institucionin e lartë zgjedhor.
“PS-ja ka patur dhe mban një qëndrim parimor në lidhje me KQZ-në. Ata që e bënë KQZ-në kështu do të mbajnë përgjegjësi deri në fund. Kolegji do të certifkojë dhe shpërndajë mandatet. Barra bie mbi mazhorancën që vendosi paligjshmërinë… Parlamentri i ri do t’i japë përgjigje edhe kësaj çështje”,- tha Gjiknuri.
Sipas tij, kthimi vullnetarisht në KQZ e anëtarëve të dorëhequr është në dorën e tyre, duke theksuar se juridikisht “se di sa e vlefshme dhe e volitshme është. Ne si parti politike kemi një qëndrim parimor, s’mund të ratifikojmë paligjshmërinë.. Kot e krijuan se populli i motivuar edhe nga ky veprim i dha çmimin që meriton arrogancës së Sali Berishës”,- tha Gjiknuri.
I pyetur për rezultatin e qarkut të Kukësit, Gjiknuri tha: “Rezultati i Tiranës është i mbrojtur, ka një problem me Kukësin se rezultati është jashtëzakonisht i ngushtë e ka disa pretendime administrative…. Mund të ketë edhe gabime në transmetim të dhënash”,- tha ai.
Gjithashtu i pyetur nga gazetarët, Gjiknuri tha se koalicioni ka përfituar maksimumin e tij “dhe kjo është vlera e asaj marrëveshje shumë të rëndësishme parazgjedhore për të hyrë në një koalicion. E majta ndërtoi koalicionin më efikas që ka parë e majta në këto vite demokraci”,- përfundoi ai.