E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përçahen ambasadorët e BE-së për aplikimin e Shqipërisë në BE

Përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së kanë qëndrime të ndryshme. Ambasadorja çeke paralajmëron një takim të Berishës me Topolanek

Albert Gjoka

Jo vetëm politika shqiptare, por edhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve anëtare të BE-së në Tiranë kanë pikëpamje të kundërta përsa i përket paraqitjes në Bruksel të kërkesës për anëtarësim të Shqipërisë. Burimet konfidenciale pohojnë se Ambasada Çeke në Tiranë, vendi i së cilës ka presidencën e Bashkimit Europain, pohojnë se Praga e ka pritur pozitivisht një hap të tillë. Por, hedhja e një hapi të tillë nga qeveria “Berisha” nuk vlerësohet se bëhet në momentin e duhur nga disa ambasadorë të vendeve të rëndësishme të Bashkimit Europian. Burimet thanë për “Albania”-n se motivi i këtij ngurrimi ka të bëjë me situatën parazgjedhore. Ashtu si edhe komisioneri për Zgjerimin, Oli Ren, edhe disa përfaqësues diplomatikë të BE-së janë shprehur se zgjedhjet parlamentare të qershorit të 2009-s janë test për përparimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe BE-së.
Presidenca çeke
Pas deklaratës së kryeministrit Berisha se Tirana zyrtare do të bëjë aplikimin për vend kandidat në Bashkimin Europian gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, një informacion i tillë konfirmohet edhe nga Presidenca çeke e BE-së. Vetë ambasadorja e Çekisë në vendin tonë, Fialkova, i tha “Albania”-s se procedura e “paraqitjes së kërkesës do të bëhet gjatë presidencës tonë”. Shkëlqesia e saj, Fialkova u shpreh për gazetën se në axhendën çeke të kryesimit të presidencës europiane është parashikuar edhe një takim mes kryeministrit Berisha dhe homologut çek. “Takimi mes krerëve të dy qeverive do të bëhet shumë shpejt”, - i tha ambasadorja Fialkova gazetës, pa caktuar një datë konkrete. Përfaqësuesja diplomatike e Pragës në Tiranë i bëri këto komente pas deklaratës së përbashkët të tre vendeve të Europës Juglindore të dhënë me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Polonisë, Çekisë dhe Hungarisë në NATO. Qëndrimi i Fialkovës vjen disa javë pas deklaratës së kryeministrit çek Mirek Topolanek, i cili deklaroi para homologëve të tij europianë se “një vend që meriton të anëtarësohet në NATO, e meriton që të ketë statusin e kandidatit për anëtar në BE”. Presidenca çeke, ndonëse në një vit të vështirë si ky, ku kriza financiare, zgjedhjet për në Parlamentin Europian dhe problemet me traktatin e Lisbonës kanë shkaktuar probleme në Bruksel, presidenca çeke po inkurajon integrimin e vendeve të rajonit në BE. Rast tipik ishte edhe inkurajimi që kryeministri Topolanek i bëri kryeministrit malazez, duke u shprehur se brenda vitit Mali i Zi mund të marrë statusin e vendit kandidat deri në fillim të vitit 2010.
Kushtet e BE-së
Përkundër deklaratave optimiste që vijnë nga Praga, vetë autoritetet në Bruksel, por edhe përfaqësuesit diplomatikë të disa shteteve anëtare të BE-së në Tiranë, ngurrojnë në paraqitjen e kërkesës. “Ndonjë prej ambasadorëve të rëndësishëm ngurron ta inkurajojë qeverinë e Tiranës që të paraqesë aplikimin për statusin e vendit kandidat për shkak të situatës parazgjedhore”, - thonë burime në Ambasadën Çeke për gazetën. Sipas tyre, disa ambasadorë mendojnë se një hap i tillë duhet të ndërmerret pas përfundimit të procesit zgjedhor të 28 qershorit.
Një qëndrim i tillë është artikuluar edhe nga vetë komisioneri Oli Ren. Ai është shprehur disa ditë më parë se tani nuk është momenti për të paraqitur kërkesën dhe do të ketë momente më të mira në pjesën e dytë të vitit 2009, apo në fillim të vitit 2010. Madje ai theksoi standardet e kërkuara nga BE-ja për qeverinë “Berisha”, ku përveç realizimit të zgjedhjeve sipas standardeve demokratike, sfidë mbeten edhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, reformat në administratën publike dhe pavarësia e Gjyqësorit.
Hapi i Berishës
Ashtu si në fundin e vitit të kaluar, edhe katër ditë më parë, përmes një interviste të dhënë për agjencinë franceze “AFP”, kryeministri Berisha deklaroi se Shqipëria mori dritën jeshile “në parim” nga Presidenca çeke e Bashkimit Europian për gjashtëmujorin e parë të vitit, për të paraqitur kandidaturën e saj deri në fund të qershorit. “Ramë dakord për të paraqitur kërkesën", - i deklaroi Berisha agjencisë së lajmeve. Ndonëse maxhoranca këmbëngul për paraqitjen e kërkesës gjatë presidencës çeke, partitë opozitare, por edhe ekspertë të shoqërisë civile që merren me procesin e integrimit, janë shprehur se nuk është momenti i duhur për të ndërmarrë një veprim të tillë.

13 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›