Berati, i rrezikuar nga masivet shkëmbor dhe uji i ndotur
11/11/2009 BERAT- Masivet shkëmbore në lagjet “Mangalem” e “ Goricë” përbëjnë rrezik për qytetin e Beratit në stinën e dimrit. Për këto probleme dhe të tjera institucioni i prefektit të qarkut në Berat ka mbledhur dje në një takim shtabin e emergjencave civile ku është kërkuar marrja e masave. Masivet shkëmbore mbi lagjet muzeale “Mangalem” dhe “Kala” janë një rrezik për banorët që jetojnë në to. Shtimi i reshjeve të shiut gjatë stinës së dimrit vë në rrezik shkëputjen e tyre, ndërkohë që ende nuk është marrë asnjë masë për shmangien e rënies së tyre. Ndërkohë beratasit janë përballur ditët e fundit me problemin e ndotjes së ujit të pijshëm. Prej pesë ditësh uji që vjen në çezmat e qytetarëve të Beratit është me ngjyrë dhe përmbajtje dheu. Burime pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në këtë qytet bëjnë me dije se nga analizat që i janë bërë ujit të pijshëm katër ditët e fundit ka rezultuar se uji i pijshëm i të gjitha lagjeve të qytetit është fizikisht i ndotur.