Bursa, rritet çmimi i arit dhe i naftës
Kryeqendra financiare e Nju Jorkut e ka mbyllur ditën me një sërë ndryshimesh të rëndësishme. Floriri ka arritur të thyejë një rekord të ri në bursë. Në mbrëmjen e së hënës çmimi i arit ka arritur vlerën e 1.111 dollarë për ons, çka ka rezultuar menjëherë në rritjen e naftës. Një fuçi naftë e papërpunuar në bursën e Nju Jorkut u tregtua me 79.43 $. Por ndërkaq me shqetësim nga analistët shihet një tjetër fenomen. Specialistë të ndryshëm japin alarmin se rezervat e naftës janë afër fundit. Associated Press citon një burim zyrtar të energjisë ndërkombëtare sipas të cilit këmbanat e alarmit kanë kohë që bien, por të dhënat janë zgjedhur të mbahen larg veshëve të publikut me qëllim shmangien e panikut te konsumatorët. Rritja e çmimit të naftës për analistët shihet gjithashtu si një efekt zinxhir i uljes së vlerës së dollarit amerikan. Kartmonedha e gjelbër ka rënë në nivelin më të ulët në 15 muajt e fundit.