E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiknuri: Një pjesë e anëtarëve të KQZ-së, me kohë të pjesshme

Eksperti i PS-së për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri, shprehet se, brenda javës, do të përfundojnë propozimet për draft-kodin

TIRANË – KQZ-ja, e përhershme, por me një pjesë të anëtarëve të përkohshëm. Ky do të jetë statusi ligjor i institucionit qendror, që do të merret me administrimin e zgjedhjeve. Eksperti i PS-së, që po merret me hartimin e propozimeve për kodin e ri zgjedhor, Damian Gjiknuri, tregon për zgjidhjet që janë ofruar për kapitujt e mbetur pa diskutuar ende në Komisionin e Reformës Zgjedhore, kapituj të cilët, përfshijnë çështjet që kanë të bëjnë pikërisht me KQZ-në, KQV-të, ndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, etj.

Z.Gjiknuri mbeten edhe dhjetë ditë nga përfundimi i mandatit të shtyrë të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Si një nga ekspertët që po merreni me hartimin e draftit të ri të kodit, mendoni se brenda këtyre ditëve do të përfundojë së diskutuari në komision kodi i ri, duke marrë parasysh se afati është shtyrë disa herë tashmë?

Kodi Zgjedhor nuk është një ndërmarrje e lehtë, aq më shumë në kushtet kur kemi të bëjmë me aplikimin e një sistemi të ri zgjedhor, proporcional-rajonal, të pazbatuar më parë në vendin tonë. Siç edhe publiku është në dijeni, kemi të bëjmë me një ligj të ri zgjedhor, i cili do të rregullojë si zgjedhjet për Kuvend, ashtu edhe ato për pushtetin vendor. Në këto kushte, puna bëhet edhe më e vështirë. Pavarësisht nga kjo, gjatë gjithë kësaj periudhe, është punuar me një ritëm të kënaqshëm për përgatitjen e projekt-kodit të ri zgjedhor. Këtij procesi, përveç kompleksitetit teknik që ka hartimi i kodit, duke qenë se është një ligj shumë i detajuar, i shtohen edhe negocimet e karakterit politik, që kanë të bëjnë me zgjedhje modelesh apo praktikash që, domosdoshmërish, reflektojnë edhe vullnetin dhe vizionin politik të të gjitha palëve të përfshira në të. Të mos harrojmë që Kodi kërkon një shumicë të cilësuar votash për miratim dhe, si rrjedhim, duhet të thithë një konsensus sa më të gjerë. Ky konsensus duhet të bazohet mbi parime të gjithëpranuara, siç janë ato që ka sanksionuar Kushtetuta, apo rekomandime ndërkombëtare për praktikën më të mirë, dhe jo mbi interesa të ngushta politike të tipit “më jep të jap”. Pikërisht, arritja e kësaj balance, pra thithjes së konsensusit dhe aplikimit të parimeve dhe modeleve më të mira të pranuara në kushtet e vendit tonë, ka marrë kohën e nevojshme. Ajo që mbetet e rëndësishme është një ligj zgjedhor funksional që garanton parimet kushtetuese të votës së lirë dhe shmang shumë nga problemet e vërejtura deri më tani, dhe që shërbyen si arsye fillestare për ndryshimet në sistemin zgjedhor. Pavarësisht nga koha që ka marrë hartimi, të gjithë kapitujt e deritanishëm janë miratuar me konsensus të plotë në Komision, pse jo ta quajmënjë ogur të mirë për ligjin e ri. Duke qenë se mandati i Komisionit për Kodin Zgjedhor, përfundon më 31 Tetor 2008, ekspertët e të dyja forcave politike, po punojnë intensivisht në mënyrë që, përpara përfundimit të kësaj date, Komisioni të ketë të gjithë draftin e Kodit në tërësi. Nëse gjërat do të ecin me ritmin që kemi punuar, mendoj që në fillim të javës që vjen, projekti i plotë i Kodit Zgjedhor, do të jetë gati për t’u diskutuar në komision.

Ju si grup ekspertësh i keni përfunduar propozimet e tjera? Dhe sa kapituj kanë mbetur pa u miratuar?

Në vazhdim të asaj që thashë më sipër, kanë mbetur pa u shqyrtuar në Komision kapitujt që kanë të bëjnë me Administratën zgjedhore të të gjitha niveleve, llogaritjen dhe ndarjen e mandateve, sanksionet dhe masat administrative, si dhe ndonjë dispozitë kalimtare që mund të shihet e nevojshme. Këto pjesë janë në përfundim e sipër dhe do të jenë shumë shpejt gati për diskutim.

Një nga çështjet që pritet me interes, kryesisht nga partitë politike, është dhe formati që do të ketë institucioni qendror, që do të merret me administrimin e zgjedhjeve. Cila është formula që keni përcaktuar për kompozimin e KQZ-së? KQZ-ja do të jetë e përhershme apo me kohë të pjesshme?

E kam shprehur edhe herë të tjera se KQZ-ja, në përgjithësi, do të ruajë ato funksione ligjore që ka pasur deri më tani. Si institucion, KQZ-ja do të jetë një organ qendror i përhershëm që merret më administrimin e zgjedhjeve. Qenia me kohë të plotë apo të pjesshme për një pjesë të anëtarëve të KQZ-së, nuk cenon thelbin e kompetencave dhe përhershmërisë së institucionit. Aq më shumë që, në vendin tonë, ka shumë institucione të përhershme, por që një pjesë e trupës vendimmarrëse, funksionon me kohë të pjesshme. Gjithsesi, kjo çështje, nuk ka shumë rëndësi. Ajo që ka rëndësi janë kompetencat ligjore dhe profesionalizimi i institucionit. Ne kemi synuar ngritjen e një institucioni ku, anëtarët, si meritë të parë, të kenë profesionalizimin dhe jo simpatinë partiake. Nga ana tjetër, duke mos e neglizhuar mundësinë e ndikimit politik në të, kemi parashikuar mekanizma dhe afate ligjore që imponojnë një vendimmarrje shumë pak të ndikuar nga politika.

Po përsa i përket institucioneve të tjera zgjedhore, siç janë qendrat e votimit dhe grupet e numërimit, do të jenë ende me përbërje politike, apo do të ligjërohet propozimi i PS-së për një përbërje teknicienësh? Po numri i anëtarëve të tyre do të reduktohet?

Reduktimi i numrit të partive politike në komisione, ka qenë një nga rekomandimet kryesore të OSBE/ODHIR-it, duke shmangur kështu fenomenet negative që u vërejtën në zgjedhjet e vitit 2007. Si rrjedhim, ulja e numrit të komisionerëve dhe zhveshja nga shumë kompetenca të tyre, do të çtensionojë më shumë procesin dhe shmangë shfaqjet e shëmtuara, të vërejtura deri më tani. Nga ana tjetër, kjo masë do të shoqërohet me detyra më të qarta për vëzhguesit e partive, në mënyrë që, edhe ata të jenë pjesë e mbikëqyrjes aktive tëprocesit të votimit. Propozimi ynë për një pjesëmarrje jo politike në komisione, pavarësisht nga të mirat që sjell, mund të hasë në vështirësi për t’u zbatuar, aq më shumë kur mosbesimi i palëve, është shumë i lartë. Pra, edhe nëse do të aplikojmë kompozimin partiak të komisionit, numri do të jetë më i vogël dhe kompetencat të thjeshtuara, duke u lënë atyre vetëm hapjen dhe mbylljen e votimit. Nga ana tjetër, do të parashikojmë metoda alternative të ndihmuara nga teknologjia bashkëkohore për numërimin e votës, duke eliminuar pjesëmarrjen e një numri mjaft të lartë njerëzish në numërim, që, përveç kostos materiale, kanë sjellë edhe kosto ligjore, duke e cënuar procesin e numërimit në mënyrë masive.

Një tjetër çështje, ende e paqartë, është edhe ajo e kontrollit të financimit të partive. Përveç përcaktimeve që u bënë në kapitullin që u miratua radhën e shkuar, do të ketë më ndonjë detyrim tjetër që bën të mundur një gjë të tillë?

Me ndryshimet e diskutuara, procesi i financimit të fushatës zgjedhore, bëhet më i kontrollueshëm dhe më transparent. Kufizimet në lidhje me vlerat për dhurim, përjashtimi i dhurimeve nga një kategori e caktuar personash, reflektimi i derdhjeve në një llogari bankare dhe masa të tjera si këto, e bëjnë këtë proces më të normuar. Nga ana tjetër, përfshirja e auditit nga ana KQZ-së, adreson një nga problemet më të mëdha që ka pasur kjo e fundit: mungesën e kapaciteteve audituese. Që kjo paketë të marrë jetë, duhet të shoqërohet edhe me sanksione më të ashpra ligjore, të cilat do të përfshihen në Kod dhe që janë të lidhura me devijimet nga kërkesat normative që përcaktoi kapitulli izgjedhjeve.

Miratimi i Kodit

“Të mos harrojmë që, Kodi, kërkon një shumicë të cilësuar votash për miratim, dhe si rrjedhim, duhet të thithë një konsensus sa më të gjerë. Ky konsensus duhet të bazohet mbi parime të gjithëpranuara, siç janë ato që ka sanksionuar Kushtetuta, apo rekomandime ndërkombëtare për praktikën më të mirë, dhe jo mbi interesa të ngushta politike të tipit “më jep të jap”.

Mandati i Komisionit

Duke qenë se, mandati i Komisionit për Kodin Zgjedhor, përfundon më 31 Tetor 2008, ekspertët e të dyja forcave politike, po punojnë intensivisht, në mënyrë që, përpara përfundimit të kësaj date, Komisioni të ketë të gjithë draftin e Kodit në tërësi. Nëse gjërat do të ecin me ritmin që kemi punuar, mendoj që, në fillim të javës që vjen, projekti i plotë i Kodit Zgjedhor, do të jetë gati për t’u diskutuar në komision.

Për KQZ-në

Ne kemi synuar ngritjen e një institucioni ku, anëtarët, si meritë të parë, të kenë profesionalizimin dhe jo simpatinë partiake. Nga ana tjetër, duke mos e neglizhuar mundësinë e ndikimit politik në të, kemi parashikuar mekanizma dhe afate ligjore që imponojnë një vendimmarrje shumë pak të ndikuar nga politika.

Për komisionerët

Si rrjedhim, ulja e numrit të komisionerëve dhe zhveshja nga shumë kompetenca të tyre, do të çtensionojë me shumë procesin dhe shmangë shfaqjet e shëmtuara të vërejtura deri më tani. Nga ana tjetër, kjo masë do të shoqërohet me detyra më të qarta për vëzhguesit e partive, në mënyrë që, edhe ata të jenë pjesë e mbikëqyrjes aktive të procesit të votimit. Propozimi ynë për një pjesëmarrje jopolitike në komisione, pavarësisht nga të mirat që sjell, mund të hasë në vështirësi për t’u zbatuar, aq më shumë kur, mosbesimi i palëve, është shumë i lartë

Për financimin e zgjedhjeve

Nga ana tjetër, përfshirja e auditit nga ana e KQZ-së, adreson një nga problemet më të mëdha që ka pasur kjo e fundit: mungesën e kapaciteteve audituese. Që kjo paketë të marrë jetë, duhet të shoqërohet edhe me sanksione më të ashpra ligjore, të cilat do të përfshihen në Kod dhe që janë të lidhura me devijimet nga kërkesat normative, që përcaktoi kapitulli i zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›