E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIA: Partitë fshehin burimet e financimit

Transparency interational: Ende informalitet ne financat e partive

Tia: Mungesa e transparencës, korrupsion politik i partive

Tia: Sponsorët ilegalë të partive, influencë ne vendimmarrje shtetërore

Tia: Kërkon seancë dëgjimore në komisionin e reformës zgjedhore

Transparency International Albania, është përfaqësuese e Transparency International, koalicionit mbarë botëror, të luftës kundër korrupsionit. Duke u nisur nga rezultati i një sondazhi tashmë të njohur, siç është Barometri Global i Korrupsionit, TI, ka shprehur shqetësimin se, në një pjesë të konsiderueshme të vendeve, partitë politike konsiderohen si mjaft të prekura nga korrupsioni. Me këtë shqetësim, TI-a në Shqipëri, që prej disa vjetësh, ka qenë e interesuar dhe ka nxitur aktorët politikë për të hartuar një legjislacion të përshtatshëm, i cili do të rregullojë një herë e përgjithmonë problemin e financimit të partive politike gjatë fushatave elektorale ku, ky problem, është më i prekshëm, por edhe gjatë aktivitetit të përditshëm partiak. Transparency Interantional në Shqipëri, konstaton me keqardhje se, ende ka një sërë problemesh madhore në financat e partive politike dhe kjo situatë ka mbetur tërësisht e pandryshuar prej vitesh.

Partitë politike në vend, vazhdojnë të cenojnë një nga detyrimet e tyre kryesore kushtetuese, bërjen publike të çdo lloj burimi financiar. Ato vazhdojnë të fshehin në mënyrë të vazhdueshme deklarimin e burimeve të tyre private.

Në Shqipëri vazhdon të mungojë, një kuadër i veçantë ligjor për ketë çështje. Çdo iniciativë për të përfshirë disa elementë në Kodin Zgjedhor, jo vetëm që është e vonuar, por edhe nuk garanton zbatimin e plotë të detyrimeve kushtetuese.

Mungesa e vullnetit politik, imponon mungesën e mekanizmave, kapaciteteve, instrumenteve dhe institucioneve, të cilat duhet të garantonin transparencën e procesit të financimeve të partive politike.

Financimet nga subjektet private, donacionet, dhuratat, apo ndihmat që japin shoqëritë tregtare, në favor të partive politike, mbeten ende një privilegj jashtë çdo kontrolli fiskal dhe ligjor.

Vetë partitë politike nuk kanë bërë ende asnjë përpjekje, për të ngritur kapacitete dhe për të shmangur vakuumin në struktura, me qëllim auditimin e brendshëm të financave dhe, kjo gjë vihet re pothuajse në të gjitha partitë politike në vend.

TI ALBANIA, vazhdon ta konsiderojë mungesën e transparencës në raportimin e aktivitetit ekonomik të partive politike, si një veprimtari informale dhe një nga komponentët e një procesi të dështuar politik, për të formalizuar ekonominë në vend.

Shoqëritë tregtare, të cilat janë financueset më të mëdha, nuk janë të interesuara të formalizojnë këto marrëdhënie dhe donacionet e tyre, pasi në thelb, kanë interesa të ngushta për të përfituar në proceset e prokurimeve, privatizimeve, sipërmarrjeve publike etj. Ata kthehen kështu, jo vetëm në partnerë në abuzimin me pushtetin, por edhe influencues në vendimmarrje të rëndësishme politike, ekonomike dhe institucionale.

Për këto arsye, Transparency Interantional, në Shqipëri konstaton se informaliteti, mungesa e transparencës dhe kuadrit ligjor, mungesa e kapaciteteve dhe mekanizmave të kontrollit në financimet, kryesisht nga bizneset dhe subjektet private në favor të partive politike, ka krijuar një terren të përshtatshëm për një nivel të lartë të korrupsionit politik.

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, është duke adresuar vetëm disa nga këto çështje në Kodin Zgjedhor. TI Albania, vlerëson çdo përpjekje për të përmirësuar këtë situatë nga kuvendi i Shqipërisë, por i quan të pamjaftueshme vetëm disa dispozita, të cilat mund të përfshihen në legjislacionin elektoral, pasi transparenca e financimeve të partive nuk është vetëm një çështje e izoluar në periudha zgjedhjesh.

Duke qenë se shumë pak kohë na ndan nga përfundimi për herë të dytë i afatit të veprimtarisë së këtij komisioni, Transparency International, i kërkon Kuvendit mundësinë e një diskutimi transparent dhe realizimin e një séance dëgjimore me pjesëmarrje të gjerë, si dhe pjesëmarrje të ekspertëve të saj, veçanërisht për një çështje kaq kritike, siç është financimi i partive politike. Transparency International në Shqipëri, por edhe në mbarë botën, ka kapacitete dhe ekspertizë të thelluar për këtë çështje dhe mund ta ndihmonte këtë proces. Transparecy Interantional në Shqipëri, i ofron bashkëpunimin Kuvendit të Shqipërisë dhe çdo subjekti që ka vullnetin për të hedhur themelet e një sistemi transparent dhe ligjor, i cili do të forcojë demokracinë e brendshme të subjekteve politike, por edhe do të përbëjë një kontribut në konsolidimin e shtetit ligjor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›