I forti i Beratit i dorëzohet përjetë burgut
Kastriot Jaupi u ekstradua mbrëmë nga Italia, pas një beteje disavjeçare me Italinë dhe Spanjën
TIRANË- Më në fund, drejtësisë shqiptare i dorëzohet një person i shumëkërkuar në botën e krimit, pas “betejës” me dy shtete të tjera, të cilat e kishin shpallur në kërkim. I superkërkuari Kastriot Jaupi, 33-vjeç, nga Berati mbërriti mbrëmë në aeroportin e Rinasit, me pranga në duar.Ekstradimi i tij u krye në Milano të Italisë, sepse Gjykata e Vlorës e kishte shpallur atë fajtor duke e dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale të “vrasjes me paramendim në bashkëpunim për shkak të cilësive të veçanta të viktimës“, “të vrasjes me paramendim në bashkëpunim për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, të mbetur në tentativë“ dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Kastriot Jaupi u dënua për vrasjen e majorit Ilir Ngresi, ngjarje e ndodhur rreth tetë vite më parë. Jaupi u arratis fillimisht në Itali, ku konsumoi vepra penale dhe më pas u largua drejt Spanjës, ku edhe u arrestua.
Arrestimi
Për vrasjen e ish-shefit të krimeve, Ilir Ngresit, policia akuzoi Kastriot Jaupin dhe në mungesë Gjykata e Vlorës e dënoi atë me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, i shumëkërkuari nga Beratikishte mundur të largohej nga vendi për t’u strehuar në Itali. Por edhe në shtetin fqinj, emri i tij u lakua si i implikuar në trafikun e lëndëve narkotike. E ndërsa policia italiane kishte shpallur në kërkim djalin nga Berati, ai kishte mundur të largohej drejt Spanjës ilegalisht. Për kalim të paligjshëm të kufirit policia spanjolle nuk nguroi të çonte në qeli shqiptarin e superkërkuar, arrestim i cili u krye në vitin 2001. Pasi përfundoi dënimin në burgjet spanjolle, drejtësia shqiptare nisi procedurat për ekstradimin e Jaupit, por një gjë të tillë kërkohej paralelisht edhe nga drejtësia italiane. Në garën e zhvilluar për ekstradimin e të kërkuarit, fitoi drejtësia italiane e cila mori në dorëzim Kastriot Jaupin, ku ai do të gjykohej për një sërë veprash penale për të cilat dyshohej se kishte konsumuar kryesisht atë të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Pas rreth katër vitesh “lutje”, drejtësia shqiptare mundi të bindte autoritetet italiane seKastriot Jaupi duhej të vuante përjetë në burg për vrasjen e majorit Ilir Ngresi.
Akuza
Qysh në vitin 1997, Kastriot Jaupi do të bëhej i njohur në qytetin e Beratit ku jetonte, si një nga anëtarët e bandës së Altin Dardhës, prej së cilës u shkëput më pas. Por asnjëherë nuk u dënua për pjesëmarrjen në banda kriminale. Në vitin 2000, Jaupi do të rezultonte personi më i kërkuar nga policia, fill pas vrasjes së majorit Ilir Ngreci. Zanafilla e ngjarjes daton më 12 nëntor të vitit 1997, kur Ilir Jaupi, vëllai i 33-vjeçarit të ekstraduar dje në Shqipërivritet gjatë një shkëmbimi me armë zjarri ndaj forcave të policisë, ngjarje e cila ka ndodhur në vendin e quajtur “Guri i Bardhë” në Berat. Prindërit dhe vëllai i viktimës Ilir Jaupi fajësuan policinë, e në mënyrë të drejtpërdrejtë shefin e policisë kriminale, Ilir Ngresi. Pas dyshimeve të tij se policia i vrau vëllanë, Kastriot Jaupi nisi edhe planin për hakmarrje. Rreth tre vjet pas vrasjes së të vëllait, Jaupi në bashkëpunim me Dritan Zhukën qëlluan për vdekje në Vlorë majorin Ilir Ngresi. Pas krimit ata mundën të largoheshin duke iu shpëtuar prangave të policisë. Kjo e fundit pas hetimeve zbuloi dhe dy autorët e krimit duke shtuar emrat e tyre në listën e personave të shumëkërkuar. Në mungesë, Gjykata e Vlorës dha dënimin maksimal për Kastriot Jaupin, i cili tashmë duhet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë në vendin tonë.
Si u ekzekutua në qendër të Vlorës shefi i policisë Ilir Ngresi
Atentati për hakmarrje kundër majorit Ngresi
TIRANË- Vrasja e Ilir Jaupit gjatë një përleshjeje me policinë në vitin 1997 do t’i hapte rrugë vëllait të tij Kastriot Jaupi për hakmarrje ndaj shefit të policisë Ilir Ngresi. Kastriot Jaupi iu vu “këmba-këmbës” majorit dhe pas tre vitesh mundi ta eliminonte atë. Sipas të dhënave që dolën nga hetimi i kësaj ngjarjeje, Jaupi i kërkoi sqarime Ngresit për vrasjen e vëllait dhe më vonë nisi ta provokojë, duke i dalë shpeshherë përpara me makinë e më pas t’i dërgonte kërcënime me anë të bisedave telefonike. Këto veprime bindën oficerin e policisë se Jaupi po përgatitej ta vriste. Në fakt, Ilir Ngresi nuk qe gabuar, ai ishte shenjuar për t’u ekzekutuar dhe tentativa e parë ndodhi më datë 7 shtator të vitit 2000 kur ai po udhëtonte me shoferin e tij polic, Artimond Jaupi. Jaupi në bashkëpunim me persona të tjerë i zunë pritë dhe e qëlluan me breshëri automatike në drejtimin e makinës me të cilin po udhëtonin dy policët. Por vetëm një plumb mundi të godiste Ngresin duke e lënë atë të plagosur. Pas kësaj ngjarjejë, Artimond Jaupi u largua nga Shqipëria pasi jeta e tij rrezikohej nga hakmarrja e Kastriot Jaupit. Ky i fundit nuk hoqi dorë nga hakmarrja e vrasjes së vëllait të tij duke insistuar për të ekzekutuar majorin, akt ky që policia e provoi nga vetë deklarimet e Ngresit dhe familjarëve të tij, ndaj të cilëve nga ana e Jaupit vazhdimisht u ishindërguar kërcënime me jetë. Për t’u hakmarrë ai shkoi shpesh në qytetin e Vlorës për të mësuar banesën dhe vendin se ku qëndronte oficeri i policisë gjatë ditëve që kthehej pranë familjes, pasi ndodhej me detyrë shef i komisariatit të policisë në Delvinë dhe ndërkohe po përgatitej të merrte një detyrë tjetër. Jaupi lëvizte shpesh me shokun e tij, Dritan Zhuka, person ky me të cilin organizon edhe vrasjen e Ilir Ngresit. Mëngjesin e datës 30 dhjetor të viti 2000,në qytetin e Vlorës, Kastrioti bashkë me shokun e tij, Dritan Zhuka udhëtuan nga Fieri me autobus për në Vlorë, ku u takuan me Renato Beqiraj me të cilin kishin disa njohje. Ndërkohë, dy autorët përgjatë rrugës Vlorë-Skelë konstatojnë se Ngresi ndodhej duke pirë kafe para hyrjes së pallatit ku ai banonte. Majori qëndronte i ulur në një tavolinë bashkë me shokun e tij Besnik Tare duke pirë kafe. Në drejtim Ngresit por nga pas shpine ka shkuar Dritan Zhuka kurse Jaupi ka qëndruar pas cepit të lokalit dhe në momentin që Zhuka u afruar rreth 2 metra larg tavolinës, pas shpinës se oficerit ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tij. Majori u përpoq të kundërvihej me armën që mbante në brez, por nuk mundi pasi plagët e marra i shkaktuan vdekjen. ------------------------------------------------------------Mori peng për para, vjen në Rinas me pranga
Ekstradohet nga Italia një 49-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia. Agim Kamberaj nga Fieri është ekstraduar mbrëmë nga Italia, pasi Gjykata e Gjirokastrës e ka dënuar atë me 5 vjet burgim për veprën penale të “heqjes së paligjshme të lirisë” e kryer në bashkëpunim dhe “mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit”. Ngjarja për të cilën u shpall fajtor 49-vjeçari ka ndodhur më datë 5 qershor të vitit 2001, kurnëbashkëpunim me shtetasit Dashamir Bega dhe Fotaq Gushi, kanë rrahur shtetasin Edmond Meshau buzë lumit Drino në Gjirokastër, pasi ky i fundit u detyrohej një shumë parash.
-----------------------------------------------------Vrasja në tentativë, ekstradohet vlonjati
Një 32-vjeçar nga Vlora ekstradohet nga Italia pasi kërkohej nga policia për vrasje të mbetur në tentativë. Ermal Bregaj është ekstraduar mbrëmë pasi Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale të “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Më datë 21 shtator të vitit 2004, në lagjen “Isa Boletini” në qytetin e Vlorës, Ermal Bregaj, ka tentuar të vrasë me armë zjarri tip pistoletë shtetasin Ilir Dashi. Pas ngjarjes ai u largua duke u shpëtuar prangave të policisë e cila pasi e identifikoi atë e shpalli në kërkim ndërkombëtar.