E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjiknuri: Po shkelet ligji për kryetarin e KQZ-së

Ai akuzoi mazhorancën se po shkel me dashje dhe pa asnjë justifikim ligjin.

"Kodi zgjedhor e përcakton qartë se zgjedhja e kryetarit të KQZ-së bëhet pas përfundimit të zgjedhjes së anëtarëve të saj, ndërsa mazhoranca po kërkon të imponojë të kundërtën. Kodi po ashtu e përcakton qartë që kandidatët për kryetar të KQZ-së shqyrtohen nga Kuvendi në përputhje me rregulloren, e cila mandaton komisionin e Ligjeve që të organizojë shqyrtimin dhe seanca dëgjimore me të gjithë kandidatët", tha Gjiknuri.

Ai shtoi se mazhoranca po kërkon të imponojë një proces të beftë dhe të njëanshëm, duke shmangur transparencën për publikun dhe gjithëpërfshirjen në këtë proces. "Të gjithë partnerët ndërkombëtarë po kërkojnë me zë të qartë që procesi i zgjedhjes së kryetarit të KQZ-së të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës. Instrumentet ligjorë janë në dispozicion dhe ligji i ka të përcaktuara qartë, nevojitet vetëm vullnet politik nga ana e maxhorancës, vullnet që përkthehet në zbatimin e rregullores dhe të kodit zgjedhor", tha ai.

Sipas Gjiknurit kodi dhe rregullorja kërkon organizimin e një procesi transparent dhe shqyrtimin e të gjitha kandidaturave. “Por, vijoi ai, demonstrimi i forcës së kartonit dhe vullneti i njëanshëm përcakton qysh në krye të herës se deklarimet e Sali Berishës se ai disponon vullnet për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme janë demagogji e përsëritur, ndërkohë synimet e tij për kontroll politik në organizimin e procesit zgjedhor mbeten të pandryshuara". /Start/

                                                                                             2012-10-01 13:15
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›