Gjiknuri: Zgjedhësit pa pasaportë, të aplikojnë për karta
Partia Socialiste deklaroi dje se po e ndjek me shumë vëmendje procesin e aplikimit dhe pajisjes me karta identiteti të shtetasve shqiptarë, proces që fatkeqësisht deri më tani ka filluar vetëm në qytetin e Tiranës. Nënsekretari për çështjet ligjore në PS, Damian Gjiknuri, tha se "nisur nga shqetësimi ynë i bërë publik për mënyrën kaotike të këtij procesi dhe pas ushtrimit të presionit pozitiv ndaj qeverisë për të adresuar njëherë shtetasit që nuk disponojnë pasaportë, u bë e mundur që qeveria të miratojë një vendim për këtë kategori". Sipas tij, ky vendim në thelb heq sanksionet për shtetasit që disponojnë pasaportë dhe e shtyn afatin e aplikimit për ta për një periudhë të dytë. "Deri në atë periudhë, qeveria ka marrë përsipër dhe duhet me çdo kusht të pajisë shtetasit që nuk disponojnë pasaportë, duke zbatuar edhe sanksionet përkatëse", u shpreh Gjiknuri. U bëjmë thirrje, vijoi ai, të gjithë qytetarëve shqiptarë që nuk disponojnë pasaportë, të fillojnë aplikimin për karta identiteti, pasi janë vetëm ata që kanë të drejtë të pajisen me një dokument të tillë në këtë periudhë. Gjithashtu, shtoi Gjiknuri, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve të tjerë që ta shtyjnë këtë proces në një kohë të dytë, në mënyrë që t‘u mundësojnë këtyre shtetasve të ushtrojnë të drejtën e zgjedhjes, me kartë identiteti. Partia Socialiste në të gjithë territorin e vendit, në të gjitha degët e saj dhe në çdo zyrë elektorale, do të ofrojë asistencë dhe këshillim për këtë proces, ku qytetarët mund të drejtohen në çdo kohë për ndihmë. "Gjithashtu, ne do të monitorojmë me hollësi mbarëvajtjen e këtij procesi, duke u bërë thirrje qytetarëve të drejtohen në zyrat tona për çdo problem të hasur", nënvizoi Gjiknuri. Teksa i kërkoi qeverisë të fillojë menjëherë fushatën e sensibilizimit për këtë vendim të ri dhe të fillojë menjëherë procesin e aplikimit në të gjithë vendin.