E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Kandidatët e PS, si do të përzgjidhen

Sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, hedh dritë në parimet mbi të cilat do të përzgjidhen kandidatët për deputetë në zgjedhjet e qershorit 2009. Në një prononcim për "Shqip", Islami thotë se "ende nuk ka një format përfundimtar të seleksionimit të kandidaturave. Ai do të jetë gati në momentin e përshtatshëm, sepse qasja kohore është e rëndësishme". Ai preferon të rreshtojë vetëm parimet, mes të cilave është edhe studimi i thelluar dhe shumështresor i profilit të zonave dhe rajoneve zgjedhore. Së dyti, është krijimi i rezervuarit të kandidaturave në një gërshetim ndryshim-eksperiencë-profesionalizëm-integritet-barazi-shansesh. Së treti, është përputhje optimale midis profilit shumëpërmasor dhe rezervuarit të kandidaturave. "Seleksionimi dhe motivimi do jenë të gjerë, jo vetëm në funksion të Kuvendit të ardhshëm, por të qeverisjes së ardhshme", vlerëson Islami. Së katërti, ai rreshton konsultimet me anëtarët e partisë dhe votuesit, sondazhet, respektimi i rregullave statutore, analiza e vlerave dhe e kontributeve. "Këto parime do të jenë në themel të teknologjisë së seleksionimit", shprehet Islami. Funksionari socialist thotë se veprimi për përmbajtjen dhe imazhin jo vetëm të fushatës elektorale, është i organizuar, është modern, është i asistuar nga ekspertiza më e kualifikuar vendase. "Dhe natyrisht në periudhën afatshkurtër do të jetë e drejtuar nga një ekip kompleks vendas dhe i huaj, natyrisht ky i fundit me eksperiencën dhe filozofinë e ndryshimit e të përfshirjes masive të shtetasve bazuar në modelin e ‘Obamës‘", shtoi Islami. Sipas tij, veprimi politiko-elektoral i PS-së ka kohë që është organizuar. "Ka një veprim simetrik në Kuvend dhe në konferencat e shtypit për të vënë në dukje dështimet, paaftësinë dhe demagogjinë e qeverisjes aktuale, si dhe demaskuar korrupsionin qeveritar-nepotik, por edhe duke qenë bashkëveprues konstruktiv për çështjet madhore të integrimit në BE e NATO, të Kosovës dhe në mënyrë më konkrete për të gjithë hapat e nevojshëm ligjor në funksion të zgjedhjeve të lira e të ndershme", sqaron Islami. PS, shton ai, është e angazhuar edhe në konsultimin gati dyvjeçar me "Dialog me Shqipërinë" dhe hartimin e programit të qeverisjes së ardhshme. Islami sjell edhe objektivin e konsolidimit dhe perfeksionimit të strukturave të partisë në të gjitha nivelet. "Në transformimin e strukturave partiake në organizma elektoralë dhe zgjerimin e tyre me të gjithë elementët e nevojshëm jashtë partiakë. Gjithashtu, krijimin e bazave të të dhënave integrale dhe të diferencuara në funksion të fushatës elektorale", shprehet Islami. Në mars, vijon ai, përfundon faza e dytë e parapërgatitjeve elektorale për të bërë të mundur futjen në fazën përfundimtare, ku vendin dhe rëndësinë kryesore do ta ketë fushata elektorale dhe veprimet e tjera deri në momentin e legalizimit të fitores. Sekretari për çështjet zgjedhore në PS insiston se kjo parti do të jetë lokomotiva e koalicionit. "Koalicioni do të jetë mjaftueshmërisht dhe optimalisht i gjerë për të garantuar maksimalizimin e suksesit të socialistëve", thotë Islami, teksa flet për ballafaqimin në zgjedhjet e 28 qershorit. Një tjetër objektiv është maksimalizimi i fitores së të majtëve, si dhe mbi të gjitha për të garantuar një qeverisje të qartë, solide, të qëndrueshme, efikase të qytetarëve dhe për qytetarët. "Koalicioni nuk mund dhe nuk do të jetë pazar individësh, qofshin këta edhe liderë partish; koalicioni i madh do të jetë me shtetasit, me votuesit, me shqiptarët", insiston Islami. Sistemi zgjedhor i seleksionuar rajonal me koalicione të përbëra sipas Islamit, presupozon maksimalizim të suksesit vetëm mbi bazën arritjees së bashkëveprimit dhe koalicionit me shtetasit e votuesit.

Tabela

Parimet e zgjedhjes

- Studim i thelluar dhe shumështresor i profilit të zonave dhe rajoneve

- Krijim i rezervuarit të kandidaturave në një gërshetim ndryshim-eksperiencë-profesionalizëm-integritet-barazi-shansesh

- Përputhje optimale midis profilit shumëpërmasor dhe rezervuarit të kandidaturave

- Konsultime me anëtarët e partisë dhe votuesit, sondazhet, respektimi i rregullave statutore, analiza e vlerave dhe e kontributeve

Deklarimi

Rama: Kandidatët, jo me

"një anëtar, një votë"

Gjashtë muaj më parë, në një intervistë për gazetën "Shqip", kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk hezitoi të komentonte edhe procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë. Pyetjes nëse do të zbatohej parimi "një anëtar, një votë" për këtë proces, ashtu sikurse kishte deklaruar në momentin kur po reformohej selia rozë, ai iu përgjigj: "S‘kam thënë asnjëherë që kandidatët për deputetë do të zgjidhen me parimin ‘një anëtar një votë‘". Sipas tij, një gjë e tillë nuk shkruhet as në statutin e partisë, ku ky parim zbatohet për zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë të njësive të pushtetit vendor dhe zgjedhjen e kryetarit të PS-së, si edhe të kryetarëve të partisë në çdo njësi vendore. "Madje nuk di as ndonjë parti në Evropë, e majtë, apo e djathtë qoftë, që kandidatët për deputetë t‘i zgjedhë me këtë parim", konstatoi Rama. Sidoqoftë, garantoi ai, jemi duke punuar për të ndërtuar një sistem të brendshëm të marrjes së mendimit nga drejtime të ndryshme për seleksionimin e kandidaturave tona.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›