E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, afati shtyhet deri në prill

Ministria e Brendshme është tërhequr para presionit të opozitës, duke pranuar kërkesën e tyre për të aplikuar më parë për karta identiteti ata persona që nuk kanë pasaporta. Nëpërmjet një deklarate, Ministria e Brendshme u ka kujtuar shqiptarëve se një nga qëllimet kryesore të këtij procesi është edhe pajisja e qytetarëve me një dokument të besueshëm për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndaj, duke pasur parasysh se si dokument i vlefshëm për votim do të jetë edhe pasaporta aktuale për udhëtim jashtë shtetit, prioritet për aplikimin e letërnjoftimeve elektronike do t‘u jepet shtetasve që nuk zotërojnë pasaportë. Sipas Ministrisë së Brendshme, në këtë mënyrë, pavarësisht limitit kohor deri në zgjedhje, do t‘u garantohet mundësia për të votuar të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ministria sqaron se për të zbatuar në praktikë këtë prioritet me propozim të Ministrisë së Brendshme, Këshilli i Ministrave ka miratuar disa shtesa e ndryshime në vendimin Nr. 1 të datës 07.01.2009 "Për pajisjen për herë të parë me letërnjoftim, të shtetasve shqiptarë dhe për përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese për ata që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve". Ndryshimi i bërë në këtë vendim është se "shtetasit, të cilët janë të detyruar të pajisen me letërnjoftim dhe janë mbi moshën 18 vjeç deri më datën 28 qershor 2009 dhe nuk disponojnë pasaportë, duhet të pajisen me letërnjoftim deri më 15 prill 2009". Në rast të kundërt, nëse shtetasit të cilët nuk kanë pasaporta nuk do të marrin karta identiteti, atëherë ndaj tyre do të ketë "ndëshkime" që ka të bëjë me mospërfitimin e shërbimeve të ndryshme publike. Ndëshkimi është mosmarrja e pagesës, ose shpërblimet për të gjithë personat fizikë, të punësuar në administratë dhe institucionet publike, si dhe për personat e punësuar në shoqëri, agjenci a ente shtetërore, qendrore apo vendore. Pagesën apo shpërblimet për pensionistët.

Gjithashtu, sanksion tjetër është mosmarrja e pagesës për ndihmë, përkrahje sociale, apo çdo lloj ndihme tjetër, ofruar nga institucionet publike, qendrore dhe vendore. Për të rinjtë që kanë mbushur moshën 18 vjeç, nuk do të kenë mundësinë e pranimit në provimet e fundvitit dhe regjistrimin në vitin shkollor akademik pasardhës për të gjithë ata që ndjekin studimet në shkollat e mesme e të larta, për pjesëmarrësit në konkurse, apo gara të ndryshme të organizuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Këto shërbime, por edhe shumë të tjera nuk do të ofrohen edhe nëse shtetasi nuk ka aplikuar deri në datën 10 shkurt 2009.

Gjithashtu, Ministria e Brendshme sqaron se procedura e aplikimit për shtetasit e tjerë fillon në datën 1 prill 2009. Nga ky rregull bëjnë përjashtim shtetasit që kanë aplikuar përpara datës 31 janar 2009, për të cilët pajisja me letërnjoftim do të vazhdojë rregullisht. Sipas Ministrisë së Brendshme, të gjitha zyrave të aplikimit për letërnjoftime elektronike u janë dërguar listat e personave që nuk zotërojnë pasaportë.

Teliti:

Në shkurt nis shpërndarja e kartave në qytetet e mëdha

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjeve Civile, Armand Teliti, ka deklaruar se kartat e identitetit do të nisin të shpërndahen në të gjitha qytetet e mëdha të vendit në muajin shkurt. Ndërsa për emigrantët shqiptarë koha e aplikimit të tyre do të jetë në momentin e parë që ata do të vijnë në Shqipëri. Por, nëse koha e tyre në vendlindje është më pak se dy javë, atëherë ata mund t‘i tërheqin kartat e tyre në momentin e parë që do të rikthehen sërish në Shqipëri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›