E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja Evropiane: Aplikimi në BE të bëhet në momentin e duhur

Pas miratimit nga Komisioni i Jashtëm i projektrezolutës, ku do t‘i kërkohet qeverisë të aplikojë si vend kandidat për në BE, ka reaguar Lëvizja Evropiane në Shqipëri. Nëpërmjet një raporti, ajo bën të ditur arsyet kryesore, pse vendi ynë nuk mund të jetë vend kandidat pikërisht në këtë periudhë. Sipas kësaj lëvizjeje, aplikimi për në BE nuk mund të bëhet tani kur vendi është vetëm disa muaj larg zgjedhjeve të përgjithshme dhe kjo qeveri është në fund të mandatit të saj. Sipas Lëvizjes Evropiane, tani nuk është koha e përshtatshme, sepse politika shqiptare dhe administrata publike do ta ketë më shumë mendjen te kutitë e votimit se sa te përmbushja e detyrimeve që burojnë nga ky proces shumë impenjativ. Gjithashtu, duke u ndalur tek elementi kohë, ata theksojnë se "nga pikëpamja kohore ndoshta është momenti më pak i përshtatshëm për të dorëzuar kërkesën për aplikim për anëtarësim në BE, duke marrë në konsideratë eksperiencën e Shqipërisë në këtë proces". Duke u ndalur te situata brenda në BE, Lëvizja Evropiane thekson se "6-mujori i presidencës çeke do të jetë periudhë disi e vështirë po të marrim parasysh divergjencat ndërmjet Presidentit euroskeptik Vaclav Klaus dhe Kryeministrit proevropian Mirek Topolanek, të cilat janë pasqyruar edhe në qëndrimin ndaj Traktatit të Lisbonës dhe në shtyrjen e shqyrtimit të tij nga vetë Parlamenti çek deri më 3 shkurt të 2009-ës". Përballë një situate të tillë, thuhet në raportin e Lëvizjes Evropiane, presidenca çeke do të fokusohet kryesisht në menaxhimin me sukses të këtyre krizave më shumë se sa te zgjerimi i BE-së. Por kjo lëvizje thekson më tej se ratifikimi i MSA-së nga ana e Greqisë, shtetit të fundit të BE-së, sikundër edhe deklarimet e Kryeministrit, risolli në vëmendje të opinionit publik mundësinë e aplikimit të Shqipërisë gjatë vitit 2009 për t‘u anëtarësuar në BE. Mirëpo, përfundimi i procesit të ratifikimit të MSA-së nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së nuk nënkupton domosdoshmërish avancimin e vendit drejt fitimit të statusit kandidat. Aplikimi i Shqipërisë duhet të vijë në një kohë optimale, duke marrë në konsideratë atmosferën që mbizotëron brenda BE-së dhe atmosferën që karakterizon vendin aplikant, rastin konkret Shqipërinë. Që Shqipëria të bëhet vend kandidat për në BE duhet të realizojë reformat e kërkuar nga Evropa. Dhe

testi kryesor në vlerësimin e progresit të Shqipërisë dhe të gatishmërisë së saj për të aplikuar për anëtarësim në BE do të ketë lidhje me mënyrën si do të përgatiten dhe zhvillohen zgjedhjet e ardhshme parlamentare të qershorit 2009. Gjithashtu, një element shumë i rëndësishëm që do të merret në konsideratë në vlerësimin e aplikimit të Shqipërisë është edhe niveli i zbatimit

të Marrëveshjes së Përkohshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›