Rumania mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
• Rumania mbështet anë-tarësimin e Shqipërisë në NATO.Kjo gjë u konfirmua dje nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Bukuresht, me ftesë të homologut te tij, Teodor Melescanu. Në takimin që patën krerët e Mbrojtjes të të dy vendeve, ministri Mediu mori mbështetjen e plotë të Rumanisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. "Samiti i Bukureshtit do të jetë samiti i zgjerimit dhe ne mirëpresim vendet e Kartës së Adriatikut. Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Rumanisë jo vetëm për marrjen e ftesës, por dhe për procesin e mëtejshëm të anëtarësimit të plotë", u shpreh ministri Melescanu.Vizita ne Bukuresht vjen pak para Samitit të 2-4 prillit 2008, ku Aleanca e Atlantikut të Veriut do të diskutojë zgjerimin e saj me tre vendet e Kartës së Adriatikut, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni. Nga ana e tij, ministri Mediu vlerësoi mbështetjen rumune si tepër të rëndësishme për aspiratën shqiptare për anëtarësim. "Ju kemi konsideruar gjithnjë si mbështetës të kandidaturës të Shqipërisë dhe tashmë marrim konfirmimin e plotë të mbështetjes suaj", tha Mediu. Të dy ministrat ranë dakord që niveli i bashkëpunimit midis Forcave tona të Armatosura të rritet më tej. Ministri Malescanu u shpreh se, "do të ndihmojmë Shqipërinë që të mos përsërisë gabimet që Rumania pati në procesin e saj për anëtarësim. Jemi të bindur se rruga jonë e përbashkët historike do të vazhdojë të thellohet në të ardhmen".