Vasili: Berisha, manipuluesi më i madh i zgjedhjeve
• Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, akuzoi dje maxhorancën dhe kreun e saj Sali Berisha për manipulime të vazhdueshme të zgjedhjeve. "LSI nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë iluzion se pas bllokimit të reformës zgjedhore qëndron së pari vetë Berisha, i cili është më i painteresuari për zgjedhjet të ndershme e të lira", tha Vasili. Sipas tij, për sa i takon reformës zgjedhore, PS është shndërruar në një shtojcë të Berishës. "PS është shndërruar praktikisht në një viktimë dhe shtojcë të Berishës për sa i takon rolit të saj në reformën zgjedhore, sepse e konsideron atë, pra Berishën, manipuluesin dhe vjedhësin e votës së socialistëve, si partnerin e saj strategjik dhe të patjetërsueshëm në procesin e reformës zgjedhore", tha Vasili. Për të konkretizuar deklaratën e tij në lidhje me kreun e maxhorancës, Vasili tha se, "zgjedhjet e 18 shkurtit të vitit 2007 si një dështim shumë i madh i certifikuar si i tillë edhe nga OSBE-ODIHR, qenë një provë e qartë për këtë dhe për rolin thellësisht negativ të Berishës në këtë shans të madh të humbur për Shqipërinë dhe zgjedhjet e lira". Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së i kërkoi PS-së dhe PD-së të ulet në Komisionin e Reformës Zgjedhore. "Edhe një herë i kërkojmë publikisht lidershipeve të PD dhe PS të lenë marrëveshjet e fshehta dhe bojkotimin e institucioneve kushtetuese dhe të kthehen në komisionin e reformës zgjedhore për të mos rënduar akoma edhe më shumë përgjegjësinë tashmë shumë të madhe që ato mbajnë për shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe për fatin e integrimit në NATO dhe BE", tha Vasili.