Nisin ditët e manifestimit Flaka e Janarit 2010 në Gjilan

Gjilan, 19 janar NOA -Manifestimi kulturor
tradicional Flaka e Janarit 2010,
edicioni i nëntëmbëdhjetë që mbahet në Gjilan-Kosovë ka nisur me një sërë aktivitetesh ashtu si
ishte njoftuar nga organizatorët.
Fillimi iu kushtua figurave të lavdishme të
kombit , Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës
dhe të një numri të madh të heronjve dhe martirëve që dhanë jetën për lirinë e
Kosovës, si dhe me ekspozitën mbarëkombëtare Peneli i Flakës XIX.
Manifestimi më i madh kulturor do të sjellë më
20-26 janar Festivalin e Dramës Shqipe Talia e Flakës, një organizim i
Teatrit Kombëtar të Gjilanit e nën Patronazhin e Kryetarit të Kuvendit të komunës së Gjilanit,
Qemajl Mustafa.
Kënga e aktorit një dramë e TP të Gjilanit
është shfaqja jashtë konkurrencës, që do të hapë festivalin. Me këtë rast do të
bëhet edhe përurimi i Klubit të Teatrit. Shfaqjet në konkurrencë janë : TK
Shkup me pjesën Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Teatri i qytetit Ferizaj me
shfaqjen Nëntë plagët e Gjergjezit në regjinë e Fadil Hysajt, TK i Prishtinës:
Bodrumi shkruar nga Ilir Gjocaj, Teatri i Metropolit-Tiranë me pjesën Drejt
lirisë në regjinë e Robert Budinës, Teatri Profesionist-i Gjilan me shfaqjen Teatri
në Pazar, etj. Pas shfaqjeve do të mbahen
tryezat e bisedave për shfaqjet si dhe është menduar të organizohen Mbrëmja e
muzikës artistike, Mbrëmja e muzikës folklorike, etj.
Festivali i Dramës Shqipe do të mbahet në
Teatrin e Gjilanit.
Në fund të mbrëmjeve të çdo evenimenti jepen
shpërblimet nga ana e jurive profesioniste.
m.s/NOA