E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjimnazet, një vit pushim në shtëpi, nëse ngel në vitin e parë

Pesa bëhet shumë e rëndësishme këtë vit për nxënësit e viteve të para të shkollave të mesme. Ata që nuk kalojnë klasën do të mbeten një vit pushim në shtëpi e më pas do të hidhen në vit të dytë. Lajmin e bëri të ditur për "Shqip" zyra e shtypit e MASH-it. Sipas saj, ministri i Arsimit, Genc Pollo, sapo ka firmosur udhëzimin e ri për funksionimin e sistemit 9-vjeçar dhe vazhdimësinë e tij në gjimnaz. Është bërë pikërisht tjetërsimi i viteve të studimit shkak për këtë ndërprerje të shkollës për nxënësit me katra. Deri një vit më parë ata që mbeteshin në klasë rrinin sërish në vit të parë ndërsa bashkëmoshatarët hidheshin në vitin e dytë.

Mbetësit e viteve të para të gjimnazeve dhe profesionaleve do të japin provimet e mbetura vitin e ardhshëm. Ata duhet të mësojnë në mënyrë autodidakte, pasi nuk mund të përsërisin vitin. Mbeten një vit në stazh, me pushime në shtëpi. Njëlloj siç ndodh me studentët. Kjo pasi është i pamundur frekuentimi i shkollës. Nuk ka nxënës të viteve të para në vitin e ri shkollor. "Këtë shtator kur nis viti shkollor nuk ka vite të para", bën të ditur Ministria e Arsimit. Ndërsa sqaron se s‘ka klasa të para në shtator në asnjë shkollë të mesme, ndaj edhe mbetësit nuk kanë ku të shkojnë. Për pasojë bëjnë një vit pushim në shtëpi. Kjo situatë e papërshtatshme është krijuar nga reforma që do të përfshijë këtë vit shkollor gjithë sistemin arsimor parauniversitar. Arsimi i detyruar 8-vjeçar bëhet 9-vjeçar, ndaj edhe nxënësit e klasave të teta do të qëndrojnë sërish në këto shkolla. Ndërkohë, nxënësit e klasave të katërta fillore hidhen në klasë të pestë. Viti i pestë i mësimeve quhet arsim fillor. Ndërsa arsim 9-vjeçar quhet nga klasa e gjashtë deri në të nëntën. Më tej gjimnazi bëhet trevjeçar, ku mësojnë nxënësit nga klasa e dhjetë deri në të dymbëdhjetën. Ky lloj sistemi bën që gjimnazet këtë vit të jenë më të lehtësuara dhe shkollat 9-vjeçare me ngarkesë më të madhe pune. Zyrtarë të MASH-it sqarojnë se vitet e shkollës janë shtuar për arsimin fillor i cili nga 4 bëhet 5-vjeçar.

Maji është muaji i provimeve nëpër shkolla, ku mësuesit bëjnë vlerësimet përfundimtare për nxënësit e tyre. Ndaj edhe ata të viteve të para duhet të jenë më të përgatitur se asnjëherë këtë semestër. Një notë jokaluese i shkëput totalisht nga bankat e shkollës për një vit. Mundësia për të rikuperuar dijet është më e vogël, pasi lëndët mbetëse duhet t‘i mësojnë në mënyrë autodidakte në shtëpi. Të dhënat nga Drejtoria Arsimore tregojnë se çdo vit mbeten në klasë qindra nxënës të viteve të para. Ata përballen me mësime të vështira në shkollë të mesme dhe te të gjithë nxënësit vihet re një rënie në mësime, kur kalojnë nga shkolla 9-vjeçare në gjimnaz. Ndaj ata të më dobëtit ngelen në klasë. Përpos ndryshimit të shkollës, një problem tjetër është edhe mosha. Adoleshentët përballen me problemet e moshës dhe bien në mësime.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›