Rreth 13% e fëmijëve humbasin jetën në aksidente
Nxënësit, kur mbarojnë mësimin, vrapojnë për të dalë nga klasa. Te dera i presin motrat dhe vëllezërit më të mëdhenj, prindërit ose gjyshërit. Por ka edhe nga ato raste kur atyre u duhet të kalojnë rrugën vetëm. Në këtë kohë, ata janë shumë të rrezikuar për t‘u aksidentuar. Rreth 13 për qind e fëmijëve humbasin jetën si pasojë e aksidenteve. Një nga problemet kryesore, i lidhur drejtpërdrejtë me këtë çështje, është edhe vendndodhja e shkollave 9-vjeçare, sidomos në kryeqytet. Pjesa më e madhe e tyre ndodhen në mes të rrugës dhe pavarësisht kësaj, nuk merret asnjë masë për të përforcuar sistemin e sinjalistikës. Dje, ministri i Shëndetësisë dhe përfaqësues të Shëndetit Publik, kanë qenë për vizitë në shkollën "1 Maji". Në këtë takim, vëzhguesit e shëndetit të popullatës kanë theksuar se trafiku në vendin tonë dhe sidomos në Tiranë, është në një stad ende problematik me pasoja në jetën e njerëzve. Nga vëzhgimet e kryera nga Instituti i Shëndetit Publik vlerësohet se më të rrezikuar nga aksidentet janë fëmijët, pasi pjesa dërrmuese e shkollave fillore dhe 9-vjeçare janë të ekspozuara ndaj rreziqeve të qarkullimit rrugor. "Më pranë rrezikut janë shkollat "1 Maji", "Vasil Shanto", "Sabaudin Gabrani", "Shkolla e Kuqe", "Ali Demi", "Kongresi i Lushnjës", tha specialisti i ISHP-së, Boris Miska. Në kuadër të Javës së Sigurisë Rrugore, dje Shëndeti Publik theksoi se disa nga faktorët e aksidenteve rrugore në kryeqytet ndodhin si pasojë e mungesës së sigurisë rrugore, humbjes së kohës në trafik, zgjatjes së arritjes në destinacion. Sipas ISHP-së, në afërsi të ambienteve shkollore mungon sinjalistika specifike rrugore, fëmijët në dalje të shkollës përballen direkt me mjetet motorike për shkak se dyert janë me pamje nga akset me intensitet të lartë lëvizje. Po ashtu, mungojnë mbikalime apo lehtësira që eliminojnë në maksimum rreziqet nga aksidentet. Shëndeti Publik ka dhënë si rekomandim kryesor për parandalimin e aksidenteve përfshirjen e metodave sensibilizuese për fëmijët, nëpërmjet programeve mësimore.