E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sukth, familjet në vështirësi kërkojnë ndihmë nga bashkia

Varfëria ulet këmbëkryq në Rrethin e Durrësit. Rritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve ushqimore ka rritur armatën e familjeve që luftojnë për të mbijetuar. Gra të divorcuara dhe vejusha me fëmijë, familje në gjendje të rënduar ekonomike, pleq të vetmuar dhe familje me persona të sëmurë kanë trokitur në dyert e Bashkisë së Sukthit për të kërkuar mbështetje. 2500-3500 lekë të reja do të marrin këto familje në nevojë. Ndonëse numri i tyre është më i madh, trajtimi me tokë bujqësore i banorëve të zonës e ka kufizuar shumë numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike, duke synuar që njerëzit t‘i kthehen punimit të tokës dhe të sigurojnë të ardhura prej saj. Po muajt e fundit, ashtu si në të gjithë vendin, kanë krijuar një realitet të ri dhe në Sukth. Familje pa asnjë përkrahje dhe të ardhura janë në kufijtë e mbijetesës dhe kanë kërkuar ndihmën e përfaqësuesve të komunitetit të tyre në pushtet. 68 kërkesa për ndihmë u drejtuan pranë kësaj njësie vendore me lutjen për mbështetje ekonomiko-financiare, që të mbijetojnë në këto kohë kritike që po kalojnë, ndërsa defterët e ushqimeve të marra veresie në dyqanet e zonës rriten çdo ditë, pa mundur të shlyhen në kushtet e një niveli të lartë papunësie dhe varfërie. Kryetari i Bashkisë së Sukthit, Yrjan Hasani, tha dje për gazetën se aktualisht nga skema e ndihmës ekonomike në këtë bashki përfitojnë 30 familje. Numri i tyre është shtuar me 5 familje të reja gjatë muajit të fundit, ndërkohë që 68 kërkesat e tjera për ndihmë janë verifikuar dhe vlerësuar nga stafi i tij. Pas këtij procesi është konstatuar se gjendja e 57 familjeve është vërtet e vështirë dhe ndihma për to është më se e nevojshme, të paktën për të siguruar ushqimin bazë ditor. Për këtë qëllim, administrata bashkiake ka prezantuar para Këshillit Bashkiak relacionin, si dhe listën me emrat e 57 familjeve në nevojë dhe ka kërkuar nga këshilltarët që të miratojnë një fond prej 175 mijë lekësh të reja. "Duke pasur parasysh gjendjen e vështirë ekonomike të disa familjeve që nuk kanë mundësi për të përballuar jetesën, gjatë planifikimit të buxhetit është lënë një fond i veçantë për familjet në nevojë. Nga ky fond, familjet do të trajtohen çdo muaj nga bashkia, krahas 30 të tjerave që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike", - tha për "Shqip" Hasani. Familjet përfituese janë nga Sukthi, si dhe fshatrat që janë pjesë e kësaj bashkie, Vadardhë, Kullë, Rrushkull, Perlat dhe Hamallaj. Ndër 57 kryefamiljarët që do të përfitojnë nga ky muaj e në vazhdim ndihmë financiare nga bashkia, 27 janë gra. Sipas kryebashkiakut, familjet e verifikuara do të trajtohen nga fondi i veçantë i bashkisë deri në fund të vitit, kohë gjatë së cilës shtrihet efekti i buxhetit të këtij viti. Rritje të kërkesave për ndihmë përveç Sukthit, ka edhe në njësitë e tjera vendore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›