E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Investim 600 mijë euro për shkollën "Qamil Guranjaku"

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, përuroi nisjen e punimeve të shkollës 9-vjeçare "Qamil Guranjaku" në Elbasan. Ndërtimi i godinës së shkollës kryhet me fondet e buxhetit të shtetit me vlerë 600 mijë euro, në kuadrin e një turi investimesh që po kryhen nga MASH-i për ndërtimin e shkollave të reja apo rehabilitimin e tyre. Në fjalën e tij, Pollo u shpreh se "këtu po vëmë gurin e themelit të një shkolle të re bazë në Elbasan, një qytet tjetër ku po e mbajmë premtimin tonë për të pasur 30-35 numrin e nxënësve në klasë". Godina e re e shkollës "Qamil Guranjaku", që po ndërtohet pranë së vjetrës, do të ketë një kapacitet me 24 klasa për mbi 800 nxënës. Ajo do të jetë e pajisur me sistem ngrohjeje dhe objekte mësimore moderne. Ndërtimi i kësaj shkolle do të reduktojë numrin e nxënësve për klasë si dhe do të mundësojë realizimin e mësimit të nxënësve të dy shkollave vetëm paradite. Punimet për këtë shkollë kanë nisur vitin e kaluar dhe priten të përfundojnë me fillimin e vitit të ri shkollor 2008-2009. Godina e vjetër e shkollës "Qamil Guranjaku", e cila pret çdo ditë 720 nxënës është ndërtuar në vitet ‘50.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›