Rama përuron kopshtin Nr.8, me vlerë 41 milionë lekë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, përuroi dje kopshtin Nr. 8, i cili gjendet në rrugën "Milan Shuflaj". Rikonstruksioni kushtoi 41.386.000 lekë dhe të ardhurat ishin të Bashkisë së Tiranës. Shtesa e ambienteve të reja, që është në harmoni me godinën ekzistuese tashmë të rindërtuar, na paraqet një godinë të standardeve bashkëkohore. Kapaciteti i këtij kopshti është rritur. Ai do të funksionojë me 8 grupe fëmijësh të grupmoshave parashkollore të moshës 3-6 vjeç. Në fjalën e tij, Rama tha se "dua të falënderoj shumë edukatoret, drejtoreshën, prindërit, gjyshet, gjyshërit që na kanë ndihmuar me vëmendjen e tyre për të realizuar këtë rindërtim kaq të domosdoshëm dhe kaq cilësor". Në ambientet e kopshtit janë vendosur ndriçuesit dhe janë kryer instalimet elektrike, si dhe ato sanitare sipas standardeve. Është instaluar gjithashtu sistemi i mbrojtjes nga shkarkimet atmosferike dhe sistemi i mbrojtjes nga zjarri (MKZ). Aparatet hidrosanitarë janë vendosur të reja dhe të përshtatshme për moshën e fëmijëve të kopshtit. Në godinë është instaluar sistemi i ngrohjes qendrore me kaldajë me naftë, si dhe radiatorë.