Komisioni i sigurisë: “Moratoriumi i skafeve edhe për 3 vjet”
Autori i Lajmit: RedaksiaKomisioni i Sigurisë ka vendosur dje të shtyjë edhe tre vjet zbatimin e ligjit për moratoriumin e skafeve. Por edhe pse të gjithë deputetët demokratë kanë qenë dakord për shtyrjen e zbatimit të këtij ligji, ka pasur diskutime lidhur me mjetet e ndryshme lundruese, të cilat duhet të ndalohen. Sipas deputetëve demokratë, janë disa mjete lundruese të konsideruara sportive të cilat nuk paraqesin asnjë rrezikshmëri dhe për pasojë nuk duhet të përfshihen në listën mjeteve të ndaluara. Deputeti Fatos Hoxha kërkoi pikërisht rishikimin nenit që bën fjalë për motorët e ujit. “Ne duhet ta zgjasim këtë ligj, është domosdoshmëri. Ajo mbi të cilën unë jam skeptik dhe do ishte mirë që ne sot në komision të kishim një listë të mjeteve motorike sportive dhe ti shikonim më në detaje çfarë janë këto mjete, sepse unë disponoj një mjet sportiv motorik të vogël, nuk ka mundësinë dhe aftësinë ai mjet as për të transportuar dhe as për të kryer distanca që mendohen për kalimin e kufijve, shkeljen e kufijve, apo për të transportuar objekte të ndryshme ose klandestinë. Prandaj duke qenë plotësisht dakord me moratoriumin, shtyrjen e afatit të tij duhet të shohim nenin kur bëhet fjalë për mjetet sportive motorike”, - tha ai. Kreu i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi e mbështeti këtë vlerësim duke propozuar që në seancë plenare projektligji të shkojë i shoqëruar dhe me ndryshimet e propozuara dhe më pas të vendosë seanca për draftin përfundimtar. Specialisti i Ministrisë së Brendshme sqaroi se drafti i ri për moratoriumin përmban të njëjtat mjete si dhe katër vjet më parë. Dy ditë më parë kryeministri Sali Berisha siguroi se ligji për moratoriumin e skafeve do të jetë në fuqi për sa kohë që e djathta të jetë në pushtet. “Moratoriumi për skafet hyn në fuqi së shpejti, dëshmi kjo e një vullneti të kësaj mazhorance që industria e mafies, pasi skafet janë industri e mafies, të mos mund të zhvillohet më në brigjet tona. Këtu dua të theksoj se heqja e këtij Moratoriumi është e pashpresë për sa kohë kjo mazhorancë të jetë në pushtet. Nuk do të ketë skafe në ujërat tona. Ky është qëndrim politik. Ne e shpallim para çdo fushate dhe shqiptarët le ta vlerësojnë. Kjo nuk lidhet me heqjen apo mosheqjen e vizave, kjo është një politikë konstante e qeverisë”, - garantoi numri një i Qeverisë. Opozita e ka kundërshtuar ligjin për moratoriumin e skafeve duke e konsideruar atë si antikushtetues. Madje, i ka kërkuar dhe Kreut të Shtetit, Bamir Topi, që të mos e dekretojë atë. Deputeti socialist Sajmir Tahiri ka pohuar se argumenti se gjoja nëpërmjet këtij ligji parandalohen veprat penale të lidhura me trafikun e paligjshëm detar, jo vetëm nuk qëndron, por edhe sikur të justifikohej në vitin 2006, tani nuk mund të justifikohet përsëri. Për zyrtarin socialist, moratoriumi i skafeve, i miratuar në vitin 2006, dhe që zgjati 3 vjet, duhej të shërbente si periudhë transitore, deri sa shteti shqiptar të merrte masat, për të garantuar kufirin shtetëror dhe të krijonte infrastrukturën për kontrollin e lundrimit detar, me qëllim parandalimin e trafikut të paligjshëm dhe sigurimin e turistëve vendas dhe të huaj.
Ky lajm është publikuar: 27/01/2010