E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjimnazistët e Tiranës, takime me shkrimtarë të njohur

"Të rinjtë pranë librit" është programi që synon të nxisë të rinjtë e gjimnazeve të Tiranës të jenë më pranë botës së letrave. Drejtoria e Politikave Rinore në bashkëpunim me Drejtorinë e Arteve dhe Letrave në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nisin sot, në orën 14:00, në sallën "Tefta Tashko Koço" zbatimin e këtij projekti. Në axhendën e programit përfshihen takime dhe tryeza të hapura mes gjimnazistëve të gjimnazeve të Tiranës me shkrimtarë, studiues e kritikë të njohur të letërsisë shqipe. Është menduar që të përzgjidhen shkrimtarë të suksesshëm në Shqipëri dhe jashtë saj, të cilët dy herë në javë do të mbajnë një seminar për nxënësit e shkollave të mesme të Tiranës në mjediset e MTKRS-së. Sipas këtij projekti parashikohet që takimet e shkrimtarëve me të rinjtë të ofrojnë mundësi të reja për shkëmbim informacioni e t‘u përcjellin të rinjve mesazhin se vlerat e mirëfillta universale qëndrojnë te libri dhe se dija është rruga më e shkurtër e integrimit evropian të mbarë shoqërisë. Finalizimi i projektit do të jetë dhurimi i librave artistik bibliotekave të të gjitha gjimnazeve të Tiranës nga MTKRS.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›