E Diel, 1 Nëntor 2026

Rudina Proda, 101 kompozime në një album

Piktorja Rudina Proda është modeli më i mirë për të dëshmuar se në art nuk ka kufij. Artistja 30-vjeçare me aftësi të kufizuara, një nga studentet e profesorit të njohur Bashkim Dervishi, më së fundmi ka realizuar albumin e saj "Rudina 4", të cilin e ka promovuar në studio art "Rudina". Albumi i fundit është i dyti në serinë e botimeve të krijimtarisë së autores në teknikën e flamastrës, në të cilin janë prezantuar 101 kompozime dhe peizazhe shumëngjyrshme në dimensione të ndryshme. Babai saj, Vehip Proda, njëkohësisht drejtori i shoqatës MIS-AAK tha se "realizimi i albumit është një sukses tjetër dhe një stimul për Rudinën, e cila vazhdon të krijojë intensivisht, pa ndërprerje vepra në teknikat akuarel, temper, pastel, akrilik, vaj, etj. Pjesëmarrja e personaliteteve të artit, kulturës, medias është një përurim tjetër ndaj kësaj artisteje të brishtë, të palodhur, e cila tashmë është bërë e njohur në Shqipëri, e kudo në botë". Pas botimit të albumit "Rudina 3" me krijime në teknikën e lapsit, piktorja është aktivizuar shumë në jetën artistike në Shqipëri e disa vende të Evropës. Deri më sot, ajo ka realizuar 48 ekspozita personale në galeritë private të kryeqytetit e më gjerë dhe mbi 50 ekspozita të përbashkëta me artistë të tjerë.

Rudina e njohur si fituesja e konkursit të parë dhe të dytë "Buza", për pikturën më të mirë, me një pjesëmarrje të gjerë artistësh me aftësi të kufizuar nga vendi dhe bota, në vitin 2003 dekorohet nga Presidenti Republikës, Alfred Moisiu, me urdhrin "Naim Frashëri i Argjendtë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›