Teatri i Operës shpall kalendarin vjetor
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka shpallur kalendarin vjetor të aktiviteteve artistike janar-dhjetor ‘09. Aktivitetet që do të organizohen në kuadrin e një viti janë miratuar në mbledhjen e djeshme të bordit artistik. Në ndryshim nga viti i shkuar, ku për pasojë të mosmarrëveshjeve, kalendari nuk u shpall asnjëherë zyrtarisht, 2009-a vjen me një kalendar të detajuar. Në pjesët e përzgjedhura për t‘u vënë në skenë dallojnë disa premiera absolute, pjesë opere apo baleti. Të tilla janë: "Falsafat", opera e Verdit që vjen premierë më datën 24 maj, premiera absolute e operës "Salome" të Shtrausit më 15 nëntor, "Arrëthyesit", premierë baleti më datën 10 dhjetor. Po ashtu kalendari parashikon një sërë mbrëmjesh gala, në të cilat do të jenë artistë shqiptarë, por edhe të huaj të ftuar. Në fund të këtij muaji, më 23 janar do të jetë një "Gala e artistëve premtues", kushtuar talenteve të reja, ndërsa më 25 shkurt do të ngjitet një balet gala i titulluar "Dansi i puanteve", një gala operistike vjen në bashkëpunim me CRR dhe Teatrin Muzikor të Vjenës nën titullin "Bursistët Ndërkombëtarë të Vienës", një shou koreografik mbi një novelë tranzicioni, "Tirana by Night". Gjatë këtij viti kalendarik do të organizohen edhe disa mbrëmje përkujtimore apo akademike siç është "Përvjetori historik" me rastin e 1-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, baleti "Gjenerali" i treshes Kadare-Aliaj-Zoraqi në kuadrin e vitit muzikor "Nikolla Zoraqi, një orator i inskenuar në koreografi në kuadrin e vitit ndërkombëtar muzikor "J. Haydn", "100-vjetori i Artistes së Popullit "Jorgjie Truja", "Përkujtimi". Po ashtu, mes shfaqjeve të operave dhe baletit janë disa bashkëproduksione me teatro të huaja. Ndërsa në këtë kalendar kemi disa rikthime artistësh të njohur, të cilët rikthehen në skenën e Operës. Baletini italian Toni Kandeloro kthehet për të disatën herë me një produksion, Tedi Papavrami do të interpretojë sërish në Teatrin e Operës, balerini i njohur shqiptar Ilir Kerni pas "Copelia", baletit që mbylli stinën konceptore 2008, rikthehet me një premierë absolute, "Arrëthyesit". Po me një balet vjen edhe koreografi shqiptar që jeton në Amerikë, Leonard Ajkun, i cili do të prezantojë dy suita baleti në bashkëpunim me kompaninë e tij. Si çdo vit, periudha korrik-shtator i takon aktiviteteve të verës, të zhvilluara edhe jashtë skenës së TOB-it. Nga titujt e prezantuar në këtë kalendar, duket se gjatë këtij viti, publikut të kryeqytetit do t‘i ofrohet një larmi gjinish artistike, që nga opera, baleti, mbrëmjet muzikore, shout artistikë apo teatrot muzikorë.