E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri akademik, qeveria hap Universitetin e Sporteve të Tiranës



Jonida Tashi

Kryeqytetit do t’i shtohet edhe një universitet më shumë, që është ai Sporteve të Tiranës. Bëhet fjalë për “shkrirjen” e Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”, e cila duke filluar nga viti i ri akademik 2010-2011, nuk do të jetë më e tillë, por një universitet. Vendimi është marrë dje, në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, në të cilën është vendosur krijimi i Universitetit të Sporteve të Tiranës (UST), mbi bazën e Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”. Universiteti i Sporteve të Tiranës do ta ketë selinë në Tiranë, në ndërtesën e ish-Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”. Sipas vendit të qeverisë, UST-ja është institucion publik i arsimit të lartë dhe ka për mision: formimin universitar të studentëve e të specialistëve në të gjitha ciklet e studimeve; kualifikimin e punonjësve akademikë e shkencorë në fushat e edukimit fizik dhe sporteve, veprimtarisë fizike, shëndetit dhe rekreacionit; nxitjen e kërkimeve e të studimeve në fushat e edukimit fizik dhe sporteve, veprimtarisë fizike, shëndetit dhe rekreacionit; ofrimin e shërbimeve për të tretët dhe konsulenca në fushën e sporteve, veprimtarisë fizike, shëndetit dhe rekreacionit.
Struktura
Në strukturën e UST-së do të përfshihen tre njësi kryesore që janë si më poshtë. Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes, me këtë përbërje, si njësi bazë: Departamentin e mjekësisë sportive; Departamentin e shkencave sociale dhe të edukimit; Departamentin e sportit. Fakulteti i Veprimtarisë Fizike dhe i Rekreacionit, me këtë përbërje, në njësi bazë: Departamentin e veprimtarisë fizike rekreative dhe të turizmit; Departamentin e organizimit dhe të menaxhimit; Departamentin e lëvizjes dhe shëndetit. Instituti i Kërkimit Shkencor të Sportit, me këtë përbërje, në njësi bazë: Departamentin e kërkimit të lëvizjes së aplikuar; Departamentin e kërkimit në veprimtarinë fizike, shëndetin dhe rekreacionin; Departamentin e kërkimit dhe të studimit të tregut të punës dhe të transferimit të teknologjisë. UST-ja do të ofrojë të gjitha programet e studimit në të tria ciklet e studimit, që ka ofruar deri tani Akademia e Edukimit fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” dhe çdo program tjetër, të miratuar në përputhje me aktet, ligjore dhe nënligjore.
Drejtimi
Organet dhe autoritetet drejtuese, të zgjedhura për strukturat e Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”, do të vazhdojnë mandatet e tyre, kur njësitë nuk pësojnë ndryshim. Organet dhe autoritetet drejtuese, për njësitë e reja të krijuara të UST-së, do të emërohen në përputhje me ligjin nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Autoritetet drejtuese të UST-së janë: rektori; dekanët e fakulteteve/drejtori i Institutit të Kërkimit Shkencor të Sportit; përgjegjësit e departamenteve të kërkimit. Rektori i Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”, do të jetë rektor i UST-së deri në përfundim të mandatit të fituar në zgjedhjet e fundit për organet drejtuese në universitete. Autoritetet drejtuese të zgjedhura, të strukturave ekzistuese kryejnë funksionet përkatëse në përputhje me ligjin nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe me statutin e UST-së. Në organikën e UST-së përcaktohet numri i punonjësve të njësive, që integrohen në këtë universitet dhe që përfshihen në numrin total të punonjësve, që janë miratuar për vitin 2010, për Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”. Për vitin 2010, financimi i UST-së do të bëhet nga: buxheti i planifikuar për Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”; nga burime të tjera të ligjshme. Universiteti i Sporteve të Tiranës do të ruajë të drejtën mbi të gjitha asetet dhe fondet buxhetore, që zotëron dhe disponon ish-Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”.

Ndryshon vendimi
Kushtet që duhet të plotësojë studenti, për marrjen e gradës “Doktor”

Ndryshojnë kushtet për marrjen e gradës shkencore “Doktor” në universitetet publike të vendit që e ofrojnë një mundësi të tillë. Qeveria ka bërë një shtesë në vendimin nr.864, datë 5.12.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për hapjen e programeve të studimeve të doktoratës, në institucionet publike të arsimit të lartë, dhe përcaktimin e kushteve, që duhet të plotësojë studenti, për marrjen e diplomës për gradën shkencore “Doktor”, të ndryshuar”. Kështu, sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, pas pikës 5, të vendimit nr.864, datë 5.12.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar”, do të shtohet pika 5/1, si më poshtë vijon: “Promovimi i përshpejtuar i shkencëtarëve të rinj të talentuar”. Sipas kësaj pike, kandidatët, që kanë Diplomë universitare të Nivelit të Dytë (DND) ose Diplomë universitare të Integruar të Nivelit të Dytë (DIND) dhe kanë botuar, si autor i parë, së paku tre artikuj shkencorë, në revista të huaja, me faktor impakti mbi 1.0, kanë të drejtë t’i paraqesin dekanit të fakultetit dhe, për dijeni, rektorit të institucionit të arsimit të lartë, që ofron studime të doktoratës, një kërkesë për mbrojtjen e doktoratës, mbi bazën e artikujve shkencorë të botuar (disertacion kumulativ). Kërkesa duhet të jetë e shoqëruar nga dy referenca/rekomandime nga profesorë, të vendit ose të huaj, që vlerësojnë se vëllimi dhe cilësia e punimeve shkencore të përfunduara me botimet e sipërpërmendura, plotësojnë kushtet për kërkimin e gradës shkencore “Doktor” dhe i propozojnë këshillit të profesorëve e dekanit ngritjen e jurisë për provimin e doktoratës. Dekani i fakultetit ia kalon kërkesën menjëherë Këshillit të Profesorëve, për shqyrtim. Këshilli i Profesorëve shprehet, brenda një muaji nga marrja e kërkesës, për ngritjen e jurisë për provimin e doktoratës dhe dekani nxjerr urdhër për ngritjen e saj. Juria, brenda një muaji, vlerëson provimin e doktoratës së kandidatit, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.864, datë 5.12.2007, “Për hapjen e programeve të studimeve të doktoratës, në institucionet publike të arsimit të lartë, dhe përcaktimin e kushteve, që duhet të plotësojë studenti, për marrjen e diplomës për gradën shkencore “Doktor”, të ndryshuar. Kandidatët, që nuk janë në marrëdhënie pune në një institucion të arsimit të lartë, i dërgojnë kërkesë dekanit të fakultetit të institucionit të arsimit të lartë, që zhvillon studime të doktoratës në fushën ku është kryer kërkimi shkencor dhe është përgatitur teza e disertacionit në formë kumulative. Në rastet kur dekani dhe Këshilli i Profesorëve, të fakultetit shprehen negativisht për kërkesën e kandidatit/es, ai/ajo ka të drejtë të ankohet, tek rektori i institucionit të arsimit të lartë dhe tek ministri i Arsimit, si dhe të kërkojë një rivlerësim të kërkesës.

Universiteti i Vlorës, hapen gjashtë degë të reja studimi

Hapen gjashtë programe të reja studimi të ciklit të parë, në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë. Miratimi i tyre është bërë dje nga Këshilli i Ministrave, i cili ka vendosur që në Fakultetin e Shkencave Teknike të Universitetit të Vlorës, të hapen gjashtë degë të reja studimit të ciklit të parë që janë si më poshtë: Biologji, Fizikë, Kimi, Ekonomiks, Financë, Inxhinieri elektrike. Në përfundim të secilit prej programeve të mësipërme të studimit do të lëshohet “Diplomë e Nivelit të Parë”, DNP, në fushën e caktuar. Këto programe studimi të ciklit të parë do të realizohen me 180 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është tre vite. Programet e studimit “Biologji”, “Fizikë”, “Kimi”, “Ekonomiks“, “Financë” dhe “Inxhinieri elektrike“ do ta fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2010-2011.

18 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›