Fier, zbardhet hetimi i “Ruzhdies”
FIER/ MAJLINDA RAMA
"Ruzhdia" zbardhet nga Prokuroria e Fierit. Pesë komisionerë të djathtë të qendrës së votimit të këtij fshati janë vënë nën akuzë, pasi dyshohen për shpërdorim të detyrës, çka ka sjellë parregullsitë gjatë procesit. Kjo është një anë e dosjes hetimore, ndërsa hetimet po kryhen dhe në lidhje me braktisjen e procesit nga ana e komisionerëve socialistë. Sipas kreut të Prokurorisë së Fierit, Altin Binaj, është ende herët për të dhënë një deklarim përfundimtar mbi ecurinë dhe përfundimin e dosjes. Numri një i organit të akuzës tha dje për gazetën "Panorama" se hetimet vijojnë ende dhe dosja nuk është mbyllur. "Dy janë fushat në të cilat ne po hetojmë: e para ajo e braktisjes së punës nga ana e komisionerëve të majtë dhe tjetra, ajo e parregullsive dhe shkeljeve eventuale gjatë procesit të votimit pas largimit të komisionerëve", pohoi dje Binaj. Sipas prokurorit, starti i hetimit ka nisur pak ditë pas votimeve, kur u bë edhe kallëzimi i parë penal. "Kallëzimi penal i bërë në Prokurorinë e Fierit ka ardhur nga disa shtetas, të cilët mund të jenë edhe anëtarë të qendrës së votimit në fshatin Ruzhdie, pra, të të dyja grupimeve politike. Ndërkohë më pas tek ne është bërë një kallëzim penal edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve", ka vijuar Binaj. Sipas tij, prokuroria, pasi ka shqyrtuar në morinë e rasteve edhe kutinë e Ruzhdies, ka dalë në konkluzionin se ajo mund të klasifikohej si e parregullt dhe me shkelje, duke e kaluar kështu për hetim në organin e akuzës në Fier. Ndonëse Binaj ka qëndruar diskret në dhënien e informacionit më të detajuar, mësohet se aktualisht u është komunikuar akuza për abuzime 5 komisionerëve që kanë qenë në detyrë ditën e zgjedhjeve. Bujar Kararaj, kryetar i komisionit, Pëllumb Myrtaj, zv.kryetar dhe anëtarët e komisionit Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj, 4 prej tyre anëtarë të PD-së dhe një i PSD-së akuzohen për "shpërdorim të detyrës në bashkëpunim", "votim më shumë se një herë, në bashkëpunim" dhe "shkelje të së fshehtës së votimit, në bashkëpunim". Me këto akuza, Prokuroria e Fierit ka kërkuar në mes të shkurtit vendosjen e masës së sigurisë detyrim paraqitjeje në Gjykatën e rrethit. Prokuroria sekuestroi kutinë e materialeve të qendrës së votimit 3052, prej nga u vu re se nga 590 zgjedhës në listë, në kuti u gjetën 512 vota. Nga verifikimet e kryera mes procesverbaleve dhe fletëve të votimit rezulton se ka pasur zgjedhës që kanë votuar më shumë se 1 herë ose mbushja e fletës është kryer jashtë dhomës së fshehtë. I pyetur për ngritjen e akuzave nga prokuroria, Bujar Kararaj u shpreh se bashkë me 4 anëtarët e tjerë të komisionit i hedh poshtë ato. "Gjithçka është kryer konform rregullave dhe vetë qytetarët e zonës kanë shprehur votën nëpërmjet vullnetit të lirë", tha dje kreu i komisionit të qendrës së votimit.
Subashi: Hetimi s’ndryshon rezultatin e zgjedhjeve
Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi deklaron se hetimi i Prokurorisë për qendrat e votimit në komunën Ruzhdie, nuk sjell ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve. "çfarëdo përfundimi i Prokurorisë nuk ka lidhje me një rishqyrtim të rezultat zgjedhor, ai është përfundimtar dhe nuk ka asnjë mekanizëm ligjor për të rifutur në shqyrtim rezultatin zgjedhor, lidhur me këto zona apo çdo një njohje e rezultati zgjedhor, tanimë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka shpallur me vendim dhe Kuvendi ka filluar nga puna", tha Subashi për "Alsat" TV. Numri dy i KQZ-së theksoi se me shumicë votash në KQZ u vendos për rinumërimin e fletëve të votimit, e kutisë së votimit, dhe u përfshi në rezultatin e zgjedhjeve, por gjithsesi nuk ndikoi në rezultatin e përgjithshëm zgjedhor të qarkut Fier. Të 439 fletët e votimit të kutisë së votimit të Ruzhdies kishin vetëm një vulë pas largimit të komisionerit socialist. Ky i fundit u largua së bashku me vulën për 2 orë, pasi pretendonte se ishte kërcënuar me jetë.