E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita kundër dhunës, Topalli mbledh 700 nxënës në Kuvend

 

Fushata sensibilizuese kundër dhunës, ndërmarrë nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua dje në një audiencë të veçantë, me 700 fëmijë të shkollave nëntëvjeçare dhe gjimnazistë të kryeqytetit. Aktiviteti me të rinjtë me sloganin “Njëzëri t’i themi dhunës ‘JO’ u mbajt në sallën e Parlamentit, me rastin e Ditës ndërkombëtarë kundër dhunës, 25 Nëntor 2009. I organizuar në një performancë të veçantë artistike, aktiviteti kishte si qëllim të përcillte mesazhin rinor kundër dhunës së çdo forme ndaj fëmijëve, si dhe brenda familjes, për t’i hapur rrugë  tolerancës dhe mirëkuptimit. Në përshëndetjen e saj, Kryetarja e Kuvendit e vlerësoi si shumë të veçantë aktivitetin me të rinjtë e kryeqytetit për të përcjellë mesazhin kundër dhunës, “Dashuri dhe jo dhunë, ky është aksioni ku unë ftoj sot të gjithë të rinjtë, optimizmi i të cilëve tek e nesërmja është më i madh se i çdokujt tjetër. Dhe një e nesërme ku respektohen vlerat e barazisë, demokracisë dhe të jo dhunës, besomëni është shumë më e bukur”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit. Mesazhin e edukatorëve dhe mësuesve të Tiranës, e përcolli arsimtarja Anila Alliu. “Kam kënaqësinë të përgëzoj Kryetaren e Kuvendit për këtë fushatë sensibilizuese kundër dhunës dhe në mbrojtje të dinjitetit të gruas e personalitetit të saj”, tha Alliu. Në emër të prindërve dha mesazhin për të rinjtë këngëtarja e mirënjohur Manjola Nallbani. “Çdo brez nga ne ka luftuar për një botë pa dhunë, por sot ju keni privilegjin e veçantë që gjendeni në këtë sallë dhe me përkrahjen e Kryetares së Kuvendit ta përcillni këtë mesazh, më fort dhe më thellë në mentalitetin e njerëzve. Për ju ky takim do të mbetet gjatë në kujtesë, si një ngjarje e rëndësishme për një mision shumë fisnik, të gjithë kundër dhunës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›