E Shtunë, 31 Tetor 2026

U arratisën nga burgu, thirren dëshmitarë

 

BURREL - Prokuroria e Matit vazhdon hetimet për gjetjen e autorëve që dërguan sharrën në burgun e sigurisë, nëpërmjet të cilës të dënuarit Fran Marashi e Preng Lleshi arritën të arratisen nga burgu i Burrelit. Burime të besueshme informacioni bëjnë me dije se oficerë të policisë gjyqësore janë urdhëruar nga prokurori i rrethit të hetojnë intensivisht mënyrën sesi sharra prej hekuri apo diamanti mbërriti në duart e dy të dënuarve me burgim të përjetshëm. "Janë pyetur shumë persona në lidhje me këtë çështje. Për shkaqe hetimore nuk mund të bëjmë të ditur emra konkretë por besojmë se jemi në rrugë të mbarë. Një nga të dënuarit e këtij burgu ka dhënë informacione të rëndësishme në lidhje me dërgimin e sharrës në qelitë e burgut", pohuan burime pranë Prokurorisë së Matit. Paralel me hetimet për sharrën që solli arratisjen e bujshme më 5 prill të këtij viti, në gjykatën e rrethit gjyqësor ka nisur procesi gjyqësor në ngarkim të 6 ish- zyrtarëve të burgut të Burrelit dhe tre të dënuarve, Fran Marashi, Preng Lleshi e Admir Tafili. Burime pranë gjykatës së rrethit gjyqësor Mat sqarojnë se javën e ardhshme do të pyeten në cilësinë e dëshmitarit dhe tre të dënuarit me burgim të përjetshëm, Lleshi e Marashi për arratisjen dhe Tafili për posedimin e çelësit të magazinës. Procesi gjyqësor pritet të zgjasë dhe disa javë, deri në dhënien e konkluzioneve mbi përgjegjësitë për këtë ngjarje.               h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›