E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet ligji për urbanistikën

 

ADI SHKEMBI

Qeveria bën gati një paketë me amendime për ligjin e Lejeve të Ndërtimit. Pas raportit të Bankës Botërore “doing business”, i cili evidentonte procedurat e gjata dhe burokratike që shoqëronte ndërtuesit për të marrë lejet e ndërtimit, Ministria e Punëve Publike ka marrë porosi të nisë përgatitjen e amendimeve. Burime zyrtare nga qeveria bënë të ditur dje për gazetën, se disa ekspertë kanë nisur pikërisht hartimin e kësaj pakete, e cila duhet të shkojë shumë shpejt në qeveri. Bëhet e ditur gjithashtu, se drejtimi kryesor ku do të përqendrohet puna e këtij grupi të ngritur do të jenë pikërisht shkurtimi i afateve për dhënien e lejeve të ndërtimit e konsideruar si burokratike dhe pengesë për klimën ndaj biznesit. Një gjë të tillë kreu i qeverisë e paralajmëroi edhe dy ditë më parë në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar të PD-së. “Së shpejti do të sjellim në Parlament amendime të rëndësishme për lejet e ndërtimit, të cilat janë një gangrenë e vërtetë në këtë vend. Do të sjellim në Parlament ligje dhe vendime të tjera që zhdërvjelltësojnë në maksimum të gjitha shtyllat e klimës së biznesit. Kjo është dy herë më e domosdoshme, po të kemi parasysh recesionin e njoftuar në disa nga ekonomitë më të mëdha të botës dhe të Evropës”, u shpreh kreu i qeverisë. Ky hap i qeverisë vjen pas raportit të publikuar nga Banka Botërore, për mundësitë që të krijon Shqipëria për të bërë biznes, ku theksohet se sektori i lejeve të ndërtimit mbetet një prej më problematikëve. Sipas raportit, Shkodra dhe Vlora renditen ndër qytetet ku një leje ndërtimi mund të merret me një procedurë normale, ndërkohë që Tirana renditet e 17-ta në rajon, ose 12 vende poshtë Shkodrës dhe Vlorës. Në raport thuhet për të marrë një leje ndërtimi duhen mesatarisht 300 ditë, ndërkohë që synimi i grupit të punës është ta shkurtojë këtë afat në maksimumi 50 ditë. Këto rezultate të raportit të BB-së nxitën kreun e qeverisë, që të akuzojë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëherësh edhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama për korrupsion me lejet e ndërtimit. “Në një lagje me 30 mijë banorë në Tiranë, nuk janë më shumë se 2 kopshte, sepse ai ka një problem me kopshtet dhe me shkollat, ka probleme dhe me përqindëshin e truallit, sepse ato nuk i japin 15 për qind, siç japin pallatet. Por ne do të vazhdojmë të ndërtojmë dhe ju premtoj se do të financojmë asfaltimin e të gjitha rrugëve të brendshme të këtyre fshatrave”, theksoi kryeministri Berisha vetëm dy ditë më parë gjatë një vizite në qytetin e Pogradecit. Por pas raportit të Bankës Botërore, Ministria e Punëve Publike bëri gati ligjin e ri të Urbanistikës, pjesë e të cilit ishin edhe procedurat e lejeve të ndërtimit. Megjithatë, burimet bëjnë të ditur se miratimi i këtij ligji duket se do të bëhet në një moment të dytë, ndërkohë që tani parësore është miratimi i amendimeve të ligjit ekzistues. Drafti i hartuar nga kjo ministri iu dërgua për mendim edhe institucioneve ndërkombëtare në Tiranë, përfshi edhe Bankën Botërore si dhe institucioneve vendore. Ligji i ri u kundërshtua ashpër nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, sipas të cilit preken kompetencat e pushtetit vendor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›