Policia: Sherri në kazino i mori jetën 22-vjeçarit
TIRANE/ BERAT
Arrestohet autori i vrasjes së Ferdinand Gjatës, 22-vjeçarit nga Berati. Vëllai i një lokali lojërash fati, ku punonte prej pak kohësh viktima është akuzuar për krimin. Sipas policisë, Shemsi Shaljani, 40 vjeç është identifikuar si personi që qëlloi me një plumb të riun. Dyshohet se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës, si pasojë e një sherri të çastit, brenda kazinosë përgjatë bulevardit "Zogu i Parë" në Tiranë. Vetë i arrestuari Shaljani mësohet se ka pranuar se ka qenë ai që ka pasur armën në dorë, por duke pohuar se ajo u shkreh aksidentalisht, duke plagosur në bark Gjatën. Prangosja e Shaljanit u bë rreth orës 21:30 të mbrëmjes së djeshme, pasi policia mori një sërë dëshmish të familjarëve të viktimës dhe të personave që kanë parë 22-vjeçarin e plagosur. Menjëherë pas ngjarjes vetë autori e ka transportuar drejt spitalit Ferdinand Gjatën, duke e lënë atë në hyrje të QSUT-së. I lënduari ka mundur të tregojë se ishte plagosur me armë zjarri, duke kërkuar ndihmën e parë. Por, megjithë ndërhyrjen, për shkak të hemorragjisë ai ka ndërruar jetë pak orë më vonë. Pritet që pas hetimeve të tjera të zbardhen rrethanat e sakta të momentit të plagosjes që solli më pas vdekjen e të riut beratas. Gjatë ditës së djeshme, policia e Beratit ka marrë në pyetje kushërinjtë e viktimës. Për disa orë, Altin File, 27 vjeç, Arben File, 35 vjeç dhe kunati i tyre Enver Xhafa kanë dhënë dëshmi mbi momentet e fundit të Ferdinandit, të cilat duket se kanë hedhur dhe dritë për zbardhjen e ngjarjes.
Dje, në familjen e tij në Berat, familja Gjata ishte e tronditur, duke mos ditur arsyet pse djali i tyre u qëllua nga persona të panjohur prej tyre. Babai i viktimës, Luan Gjata u shpreh se i kishin thënë që një polic i spitalit ka qenë i fundit që ka parë të birin gjallë dhe ka dëgjuar fjalët e fundit të tij. Luani pohon se familja e tij nuk kishte pasur kurrë konflikt me persona të tjerë e nuk dinte që dhe djali i tij të kishte. Sipas tij, Ferdinandi kishte vetëm 6 muaj që banonte me kushërinjtë në Tiranë. Ai e dinte që djali kishte kryer punë të ndryshme, derisa së fundi punonte në një firmë për të ngarkuar e shkarkuar mallra, prapa ish-hotel Pezës. Kryefamiljari thotë se djali i tij ishte detyruar të largohej nga shtëpia, pasi familja me tetë anëtarë nuk kishte të ardhura dhe jetonte në varfëri. "Ne nuk kemi pasur asnjë kontradiktë me njeri. Vrasja e djalit na ka befasuar së tepërmi, se ai vetë nga natyra ka qenë i urtë dhe ka parë punën e tij". Kështu u shpreh dje babai i Ferdinandit, të cilin e përcolli për në banesën e fundit. I përlotur për tragjedinë në familjen e tij, Luani pohoi se i biri vetëm 22 vjeç kishte zënë një punë, të cilën ia kishin gjetur pesë kushërinj të tij që punonin në të njëjtën firmë. Kushërinjtë Arben dhe Altin File i kanë rrëfyer babait për momentet e fundit kur e kanë parë Fredin. Sipas tyre, ata e kishin thirrur natën e ngjarjes për të ndihmuar një klient që do të blinte disa lodra për fëmijë. Pasi kishte mbaruar punë, ai u kishte thënë kushërinjve të tij se do të largohej pasi e kërkonte një shok. "Ai ka hipur në një makinë dhe është larguar. Nuk dinin gjë për të, derisa një polic nga spitali u ka telefonuar duke u treguar se kushëriri i tyre ishte i plagosur. Ferdinandi i ka thënë policit emrin dhe i ka kërkuar të lajmëronte djemtë e hallës së tij. Dimë që i ka thënë diçka për ngjarjen, por polici na tha se i ka treguar në komisariat ato që di", u shpreh Luan Gjata. Ndërsa vëllai i madh i viktimës, Ndriçimi, thotë se i vëllai është qëlluar nga njerëz që i njihte, pasi ai nuk do të hynte në makinë. "Vrasësit nuk e merrnin dot me forcë se ishte shumë i fuqishëm. Vrasjen e kanë bërë shumë afër, pasi plumbi ka mbetur në bark", thotë ai. d.b/d.xh