Protesta në Mitrovicë, serbët kërkojnë rikthimin në punë
Një javë pas përleshjeve me forcat e KFOR-it dhe UNMIK-ut, kanë vazhduar sërish protestat e serbëve përpara Gjykatës së Mitrovicës. Ata kanë kërkuar që të rimarrin pozicionet e tyre në gjykatë, në mënyrë që ajo të drejtohet nga Ministria serbe e Drejtësisë. Gjatë ditës së djeshme në protestë ishin të pranishëm rreth 100 ish-punonjës serbë të gjykatës, ndërkohë që 20 oficerë të UMNIK-ut dhe KFOR-it monitoronin situatën. “Nuk duam dhunë dhe incidente. Protesta jonë është paqësore, ndaj dhe duam një zgjidhje të problemit”, - tha një prej demonstruesve. Që pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt, në punë nuk kanë shkuar as punonjësit shqiptarë të gjykatës dhe kjo për shkak të frikës së ndonjë incidenti të mundshëm. Ndërkaq, punonjësit serbë u larguan nga puna më 11 gusht të vitit 1999 dhe tashmë kërkesa e tyre është rikthimi në detyrat e mëparshme. Gjatë protestës së 17 marsit mbeti i vdekur një polic ukrainas, ndërkohë që u plagosën rreth 130 veta.
25 Mars 2008