E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot mbërrin krocera e parë e pranverës



DURRËS - Krocera e parë për këtë vit (krocera e pranverës), që i përket kompanisë private “Dalmatia Travel”, do të mbërrijë sot në mëngjes në Portin e Durrësit, porti më i madh në vend. Në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, bëhej e ditur se ekuipazhi dhe pasagjerët e krocerës do të priten të martën, rreth orës 10:30, në ambientet e Hotel Rogner, nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve,Ylli Pango. Gjatë vitit të kaluar, disa mijëra turistë kanë ndaluar me krocerat që udhëtonin në portet shqiptare, ndërsa kanë vizituar disa nga pikat turistike të Shqipërisë, si Durrësin, Apoloninë, Butrintin, etj..

Gjendet në Karaburun bariu i zhdukur

VLORË - Një 58-vjeçar nga rrethi i Pogradecit, i denoncuar i humbur nga të afërmit e tij 15 ditë më parë, u gjet dje në mëngjes i pajetë në masivin e Gadishullit të Karaburunit, në Vlorë, ndërsa policia ka nisur hetimet rreth shkaqeve të vdekjes së tij. Burime zyrtare të policisë së Vlorës thanë se, “trupi i pajetë i 58-vjeçarit Ramadan Beleku, nga një fshat i Pogradecit, u gjet në vendin e quajtur Maja e Kores”. Policia nuk dha detaje rreth ngjarjes, por tha se trupi i 58-vjeçarit u përcoll në morgun e Spitalit të Vlorës, ku do t’i bëhet ekspertiza mjeko-ligjore. Beleku punonte si bari në zonën e Karaburunit, ku u gjet i pajetë.

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›