Kosovë, edhe 1000 trupa amerikane do t’i bashkohen NATO-s
Pas ndihmës ushtarake të propozuar nga presidenti amerikan, Xhorxh Bush, në Kosovë do të dislokohen edhe një mijë ushtarë amerikanë të Gardës Kombëtare të shtetit të Misurit, duke iu bashkuar forcës paqeruajtëse të NATO-s. Ushtarët janë duke u përgatitur dhe mendohet se ardhja e tyre do të jetë jo më vonë se muaji qershor, pasi të mbarojnë trajnimin luftarak. Është planifikuar që trupat të shërbejnë deri në marsin e vitit të ardhshëm. Lajmi është bërë i ditur nga gjenerali i Brigadës amerikane, Leri Kej, i cili mësohet të këtë thënë për gazetën më të madhe në Misuri, “Saint Louis Post-Dispatch”, se ushtarët ndoshta do të vendosen në pjesën më të tensionuar, në Veri të Kosovës. Javën e kaluar, presidenti Bush autorizoi furnizimin me armë të Kosovës, që sipas tij, do t’i shërbejë forcimit të sigurisë dhe paqes në rajon. Nëntë vite më parë, më 24 mars 1999, NATO-ja nisi bombardimet në Serbi për të ndalur represionin serb dhe spastrimet etnike të shqiptarëve. Sulmet u kryen nga anijet luftarake amerikane nga Adriatiku dhe bazat ajrore italiane në Itali dhe gjatë këtyre ditëve të bombardimeve, Serbisë, sipas ekspertëve, iu shkaktua një dëm prej rreth 30 miliardë dollarësh. Në këto sulme mbetën të vrarë disa mijëra ushtarë serbë në Kosovë dhe Serbi. Bombardimet përfunduan më 10 qershor, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Hyrja e trupave të NATO-s bëri që të largoheshin forcat serbe nga Kosova, të cilët dëbuan me dhunë rreth 800 mijë refugjatë shqiptarë nga Kosova. Ne 9-vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s ka reaguar kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica. Ai është shprehur se vendi i tij u bombardua që në Kosovë të krijohej “shteti i NATO-s”. “Tashmë është mëse e qartë se shkatërrimi mizor i Serbisë në bombardimet e NATO-s ka pasur vetëm një qëllim, që provinca e Kosovës të kthehej në shtetin e parë të NATO-s në botë”, - ka deklaruar Koshtunica. Kryeministri serb dy ditë më parë ka akuzuar paqeruajtësit e aleancës dhe Policinë e Kombeve të Bashkuara për përdorim të snajperëve dhe të municionit të ndaluar për të ndalur trazirat e serbëve kundër pavarësisë së Kosovës. “Kur fuqitë që e mbështesin pavarësinë e Kosovës kuptuan se Serbia kurrë nuk do ta njihte atë, ata treguan forcën brutale, snajperët dhe municionin e ndaluar”, - tha Koshtunica para mediave. Për Kosovën, megjithatë, kjo ditë konsiderohet si dita e çlirimit dhe në çdo përvjetor falënderohen ndërkombëtarët për ndërhyrjen e tyre. Për herë të parë ky përvjetor kujtohet në Kosovën e pavarur. Presidenti kosovar, Fatmir Sejdiu, u shpreh se kjo datë historike e gjen Kosovën me një ëndërr të përmbushur dhe kjo falë ndërkombëtarëve, të cilët e kanë mbështetur këtë çështje të drejtë. Përfaqësuesit politikë kosovarë e kanë konsideruar ndërhyrjen ushtarake të NATO-s një kthesë historike, e cila nuk lejoi përsëritjen e Srebrenicës. Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi ka kujtuar se “lufta e drejtë e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bëri që Aleanca ushtarake më e fuqishme në botë të vihet në mbështetje të mbrojtjes së vlerave më të larta të civilizimit perëndimor në Kosovë, lirisë, paqes dhe demokracisë”. “Pas nëntë vitesh Kosova është e lirë, ka ndërtuar shtetin e saj të pavarur dhe ka përkushtim të veçantë për t'i mbrojtur minoritetet dhe për t’u integruar në BE dhe në NATO”, - thuhet në mesazhin e kryeministrit Hashim Thaçi.
25 Mars 2008