E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu pakicave: “Do të trajtoheni njëlloj si shumica”



Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka garantuar pakicat që jetojnë në këtë vend se do të trajtohen njësoj si edhe komuniteti shumicë në Kosovë. “Unë mendoj se këto janë disa nga elementet kryesore që desha t’ua prezantoj edhe si pjesë e zotimit tonë, se do të jenë qytetarë të trajtuar njësoj si qytetarët e shumicës, por edhe të komuniteteve pakicë. Nuk mund ta lejojmë Kosovën që të ketë një fokusim të veçantë vetëm te një komunitet, por fokusi duhet të jetë te të gjithë qytetarët dhe në këtë kuadër edhe bashkëpunimi dhe përgjegjësia janë paralele”, - tha presidenti Sejdiu gjatë qëndrimit në fshatin Plemetin, në Komunën e Kastriotit, ku jetojnë mbi 120 familje rome, ashkaline dhe egjiptiane. Rreth 500 banorë romë, ashkalinë dhe egjiptianë, për shtatë vite kishin jetuar në kampin e Plemetinit, të cilin ish-shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jesen Petersen, e pati quajtur “Turpi i Kosovës”. Para një viti aty janë ngritur banesa kolektive, ndonëse qytetarët e kësaj zone ende përballen me kushte të rënda ekonomike e sociale. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova nuk do të jetë vend i kampeve, por do të jetë Kosovë e të gjithë qytetarëve të barabartë dhe e mundësive të barabarta. Sipas planit “Ahtisari”, mbi bazat e të cilit Kosova shpalli pavarësinë, institucionet e vendit janë të obliguara të sigurojnë të drejta të avancuara për pakicat kombëtare.

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›