E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bildt: “Beogradi dhe Prishtina bisedime, por jo për statusin”



Mes Prishtinës dhe Beogradit janë të mundshme bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve, por jo edhe ato për statusin e Kosovës, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt.
Në një intervistë për gazetën serbe, “Veçernje Novosti”, Bildt ka thënë se UNMIK-u duhet të vazhdojë të kryejë rolin e tij në Kosovë edhe gjatë periudhës në vijim, mirëpo me kapacitet të limituar dhe jo vetëm në veri të Kosovës. “Bashkimi Europian konsideron se ka legjitimitet ligjor për dërgimin e misionit në Kosovë, sepse po të mos ishte ashtu nuk do të merrnim vendimin për dërgimin e këtij misioni. Misioni ynë bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB-së”, - ka shpjeguar Bildt bazën ligjore për dërgimin e këtij misioni. Përsa i përket Veriut të Kosovës, Bildt ka vlerësuar se kjo çështje do të zgjidhet “ngadalë, me durim dhe mençuri dhe pa vendosjen e afateve”.
“Duhet të flitet hapur për këtë çështje, por edhe për gjendjen në enklavat serbe, që është brengosëse. Duhet ta rikujtoj faktin se ata janë shtetas edhe të Serbisë, pasi kanë të drejtë për dyshtetësi”, - ka thënë ai. Sipas Bildt, në një moment Beogradi dhe Prishtina duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve, mirëpo kjo gjë nuk do ta ndryshojë statusin e Kosovës sepse Kosova është njohur nga shumica e vendeve të BE-së.

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›