E Diel, 1 Nëntor 2026

Vullnetarizmi, përtej punës së detyruar pa pages

11/04/2005  Humanizmi, me të cilin edukohen fëmijët në perëndim, por shqiptarëve s’ju kujtohen veçse aksionet vullnetare

Veprimtari vullnetare: punë komuniste, pa shpërblim, që kryejnë vullnetarisht masat punonjëse dhe rinia në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.... Ky është përcaktimi që i bëhet vullnetarizmit në “Fjalorin enciklopedik shqiptar”, pra me fjalë të tjera, punë pa pagesë me detyrim. Në Rusi puna vullnetare u identifikua me të shtunat komuniste.

“Të shtunat komuniste, janë jashtëzakonisht të vlefshme si një fillim i vërtetë i komunizmit...një nga celulat e shoqërisë së re socialiste..këta punëtorë të uritur dalin dhe organizojnë “të shtunat komuniste”, punojnë jashtë orarit pa asnjë shpërblim...për ta shtuar rendimentin e punës, për të kaluar në një disiplinë të re në punë, për të krijuar kushtet socialiste në ekonomi dhe në jetë”, thotë ish-udhëheqësi i revolucionit në Rusi, Vladimir Iliç Lenin, nënvijëzon në librin e tij “Vullnetarizmi ind shumë funksional i shoqërisë”, Zyhdi Dervishi. Kështu, kur ju kujton vullnetarizimin shqiptarëve, ata bëhen tepër ironikë, pasi gjatë kohës së socializmit kanë fituar “shumë neveri” ndaj punës së detyruar pa pagesë, sidomos ata që kanë qenë vullnetarë në aksione.

Por, vullnetarizmi është futur si koncept në të gjitha vendet perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumë familje janë bërë të pasura, shumë rendin pas parasë. Materializmi ka zëvendësuar humanizmin dhe në mënyrë që të ndikojnë sadopak te rinia, që të mos rendi kaq shumë pas parasë, që në shkolla është futur vullnetarizmi. Vullnetarizmi është edukatë që merret që fëmi, duke pastruar klasën tënde, duke lyer shkollën tende. Fëmijët shkojnë te të varfërit dhe ju paketojnë ushqimin, i mjekojnë, më të rriturit japin dhe gjak. Kjo përpjekje po bëhet edhe në Shqipëri. Në muajt maj-qershor, me inisiativën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, studentët e sociologjisë dilnin në fundjavë dhe pastronin përmes blloqeve të pallateve. Por, përse rinia shqiptare nuk është shumë entuziaste në këtë pikë.

“Jemi shumë të varfër për të punuar vullnetarisht. Ne jetojmë në konvikt, nuk kemi shumë lekë. Kështu që, nuk mund të punojmë fare pa pagesë. Më mirë bëjmë dy orë gjumë në dhomë, sesa të punojmë qyl”, thotë një student i Shkencave Sociale. Ndërsa një student nga Tirana thotë: “Të paktën në këto raste të na japin ndonjë lek, sa për të mbuluar kafet”.

Vullnetarizmi vetëmohues, brenda atij altruist

Mjekët e ushtarët, eksperiment me trupat e tyre

Mjekët kërkues, shkencëtarët e fushës së mjekësisë, eksperimentet e para në luftën kundër kësaj sëmundjeje, i bënë në trupin e tyre, domethënë me vullnetin e tyre të lirë ata shkonin drejt një vdekje të sigurt. Sociologu Zyhdi Dervishi, në librin “Vullnetarizmi ind shumë funksional i shoqërisë”, shkruan se në fillim të shekullit XIX, mjeku anglez A.Uajt, vetinjektoi në trupin e tij mikrobet e murtajës. U sëmur dhe pas tetë ditësh u largua nga kjo botë. Eksperimente me veten në mjedise të ndotura, që ngjallnin neveri të skajshme, bëri dhe mjeku austriak Alois Rozenfeld. Ai u sëmurë nga murtaja burbonike dhe e la botën e të gjallëve më 21 janar të vitit 1817. Në vitet e fundit të shekullit të XIX, sëmundja e etheve të verdha bënte kërdinë në Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe në Kubë, sidomos në rradhët e ushtrisë. Prej saj vdisnin rreth 85 për qind e të infektuarve. Për të zbuluar barnat e përshtatshme, ishin të nevojshme eksperimentet te njerëzit. Të parët që iu nënshtruan eksperimentit, ishin dy mjekë bakteriologë të shquar, Xhes Llëzeri dhe Xhejms Kerolli, më pas Xhes Llëzeri “dha jetën” në këtë eksperiment. Që mijëra njerëz të mos vdisnin, Valter Ridi publikoi një shpallje, sipas të cilit kërkoheshin vullnetarë që do t’i nënshtroheshin eksperimentit, u rregjistruan vullnetari Kisinger, nënpunësi Morani. U ofruan edhe një shpërblim të madh me para, por ata nuk e pranuan. E, më pas, për këtë eksperiment, dhanë jetën mjeku i ri Kuk, dhe dy ushtarë të tjerë, Folku dhe Zhernegani.

Shprehjet shqiptare për vullnetarizmin:

“Kur shumica rendin para drejt fitimit, bëhesh donkishot po të kthesh sytë prapa nga vullnetarizmi”

“Mos u shërbe me vullnetarizëm atyre që të shkelin me këmbë për interesat e tyre egoiste”

“Vullnetari duket si qënie prehistorike”

“Të flasësh për vullnetarizëm është njësoj sikur të shurdhosh me zhurmë muzikën e fitimit që u pëlqen të gjithëve”

Ndër të rinjtë e sotëm vullnetari duket si një dinosaur që nuk mbahet mend që kur i ka ikur koha”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›