Gjini: “Ju tregoj presidentët bardheblu”
Ish-sekretari i Klubit të Tiranës, Shkëlqim Muça dhe dorëheqjen dhe më pas u zyrtarizuar edhe shkarkimi i tij nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Po me një vendim të Bashkisë ku drejton Edi Rama u vendos edhe emërimi i sekretarit të ri, Eduard Gjinit. “Në pikëpamjen institucionale klubi i futbollit varet nga Bashkia e Tiranës, që financon edhe një shumë të konsiderueshme për mbarëvajtjen e klubit”, - thotë Gjini. Në të vërtetë brenda klubit Tirana, dashur pa dashur ekzistoi për një periudhë 2-vjeçare (2005-2007) edhe një marrëdhënie detyruese, edhe pse në distancë midis dy kundërshtarëve të njohur politikë: kryetarit të Bashkisë, njëherësh edhe të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe nënkryetarit të Partisë Demokratike, njëherësh edhe president i Klubit të Futbollit “Tirana”, Bamir Topi.
Tirana është klubi që ka parë më shumë presidentë pas viteve 1990, pesë të tillë, madje është ende pa një të tillë në drejtim, qysh kur i fundit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi u dorëhoq nga drejtimi i klubit.
Unë personalisht kam filluar punë në klubin e Tiranës, kur president ishte biznesmeni egjiptian El-Sajed Metalliu. Pavarësisht, se nuk kam qenë një bashkëpunëtor i Metush Seferit, presidentit të parë të Tiranës, në klub ruhet një konsideratë e lartë për të, kjo edhe nga pohimet e ish-sekretarit të asaj kohe, Skënder Hykës. Tirana edhe nën drejtimin e Seferit (1993-1998) ishte ndër klubet më të paguara për kohën.
Për Lutfi Nurin (1998-1999), aktualisht sot zëvendëspresident i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Ishte një president shumë i apasionuar. Vendosi standarde të tjera në pagesa dhe Tirana fitoi titullin kampion, atë vitit 1999-2000.
Egjiptiani Abdelrrahman Metëally El Sayed (1999-2004) ishte presidenti i dytë i huaj i një klubi shqiptar, pas italianit të Partizanit, Vicenzo Minjoli. Fitoi disa kampionate e kupa, por me fund të hidhur. U detyrua të largohej.
Me të Tiranë bëri një hop cilësor, sidomos në pagesat e lojtarëve. El-Sajed kishte një eksperiencë të madhe në drejtimin e një klubi futbolli dhe synoi menjëherë në blerjen e lojtarëve më cilësorë në kampionatin shqiptar, duke marrë nga Dinamo, Redi Jupi e Fjodor Xhafën, nga VLlaznia, Suad Licin, por riktheu në Shqipëri edhe emra të njohur si Devi Muka, i cili luante në Kroaci, apo Indrit Fortuzi, i cili aktivizohej në Greqi.
Fatmir Frashëri (2004-2005), një lojtar dhe trajner kampion me Tiranën. Presidenti i katërt i Tiranës, por i vetëlarguar.
Zgjedhja e Frashërit si presidenti i klubit përkoi me ardhjen e katër donatorëve: Agron Papuli, Refik Halili, Shefikat Ngjela e Avni Nuri. Fatmiri u propozua unanimisht dhe u votua po kështu. Tirana doli kampion në vitin e parë të katërshes dhe kaloi edhe turin e parë me Gomel dhe ishim shumë pranë edhe kualifikimit historik në turin e tretë eliminator, kur u ndalëm nga hungarezët e Ferencvarosh vetëm për një gol. Donatorët kanë dhënë për klubin gjatë katër viteve të tyre disa miliona dollarë.
Bamir Topi (2005-2007), atëherë nënkryetar i Partisë Demokratike, ishte dhe i pari politikan i lartë në krye të klubit. Ardhja e deputetit demokrat u konsiderua edhe si një armë më shumë për të vendosur balancat në katërshen e donatorëve, dy me bindje të djathta dhe dy me bindje të majta.
Personalisht, jo vetëm si sekretar i Klubit, por edhe si sportdashës i hershëm i Tiranës, ardhja e një figure si Topi, i dha një tjetër përmase klubit. Dorëheqja e tij erdhi për shkak të marrjes së detyrës së Presidentit të Republikës.
Sa ka ndikuar zoti Topi te Tirana, cila ishte influenca e tij?
Zoti Topi ishte një tifoz i hershëm i Tiranës edhe u pa u zgjedhur president i klubit, e më pas i Republikës. Për ne ishte një mbështetje e madhe morale, si për skuadrën ashtu dhe për donatorët. Prania e tij ka sjellë një risi në marrëdhëniet midis donatorëve, trajnerëve dhe lojtarëve në klub.
A ka ndonjë lidhje apo ndikim zoti Topi tani te Tirana?
Gjithmonë Presidenti Topi ka influencë në ekip, pasi në fund të fundit ai është presidenti i fundit i klubit, pavarësisht se ai u largua për shkak të marrjes së detyrës së lartë. Prania e tij në ndeshjet e kampionatit apo të kupës është një bonus moral për skuadrën.
Zoti Gjini, si kanë qenë raportet Edi Ramës e Bamir Topit, gjithmonë në lidhje me klubin. A ka pasur ndonjëherë konflikte për motive edhe të qëndrimeve politike midis të dyve.
Jo. Asnjëherë. Ka ekzistuar një harmoni e plotë. Edhe pse në distancë. Ata të dy, e kanë kuptuar se politika nuk ka të bëjë me futbollin. As zoti Rama, kryetari i Bashkisë, dhe as zoti Topi, nuk kanë ndikuar politikisht te futbolli apo për vendimmarrjen në klubin e futbollit që të kenë një sfond politik. Të dy kanë një të përbashkët: dashurinë për sportin dhe për rritjen e nivelit të tij. Edhe kompleksi ‘Skënder Halili’ është një investim i Bashkisë së Tiranës dhe FSHF-së..
Kur do ta ketë Tirana presidentin e ri?
Sipas Statutit të Klubit, Asambleja Zgjedhore zhvillohet një herë në katër vjet. Tirana duhet të zhvillojë brenda tre-katër muajve Asamblenë Zgjedhore të radhës. Asambleja e fundit, në të cilën u zgjodh Fatmir Frashëri president dhe katër donatorët morën drejtimin e skuadrës u zhvillua në javën e parë të korrikut të vitit 2004. Jemi në fazën e përgatitjeve të Asamblesë së radhës, sigurisht pas përfundimit të edicionit sportiv.
Media ka përmendur një kandidaturë, një biznesmen të një rrjeti të fuqishëm supermarketesh. Pyetja është direkt. A do të qëndrojnë donatorët edhe për katër vite të tjera?
Në klub nuk ka mbërritur asnjë ofertë, nuk ka asnjë emër. Unë personalisht kam përgatitur dosjet për katër donatorët me programin e punës dhe ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri, 2008-2009. Donatorët do të japin llogari për gjithë periudhën katërvjeçare dhe do të jetë Asambleja ajo që do të vendosë se kush do ta drejtojë klubin.
12 presidentët bardheblu
Tirana në historinë e saj 88-vjeçare ka pasur 12 presidentë, duke filluar nga themelimi i klubit në vitin 1920 e deri në ditët tona. Presidenti i parë i bardhebluve ka qenë Bahri Toptani, që dejtoi në vitev ‘20-‘30. Më pas erdhi Stefan Shundi e Selman Stërmasi deri në fund të vitit 1960. Lame Konomi i drejtoi bardheblutë për më shumë se 10 vjet. Në vitet e mëpasshme shohim Nuri Bylykyn, Çlirim Hysin dhe Zija Shaba. Me rënien e komunizmit, në krye të klubit u vu Metush Seferi (1993-1998), për t’u pasuar nga Lutfi Nuri. Egjiptiani El Sajed u bë president vetëm në vitin 1999 dhe drejtoi deri më 2004. 4 donatorët vunë në postin honorifik Fatmir Frashërin, i cili u largua vetëm pas një viti, dhe më pas Bamir Topin, i cili dha dorëheqjen për shkak të zgjedhjes si President i Republikës.
Pesë presidentët post’90
1.Metush Seferi (1993-1998)
2 Lutfi Nuri (1998-1999)
3.El Sajed(1999-2004)
4.Fatmir Frashëri (2004-2005)
5.Bamir Topi (2005-2007)
4 donatorët, 4 milion dollarë në 4 vjet
Tirana është klubi më i financuar në Shqipëri. Por sa arrin fatura? “Financat tona mbulohen nga donatorët edhe buxheti i Bashkisë së Tiranës. Ato shkojnë rreth 1 milion dollarë në vit, nëse Tirana del kampione kombëtare. Dua të saktësoj se në shpenzime përveç kontratave me lojtarët përfshihen edhe bonuset, shpenzimet e akomodimit në grumbullimet jashtë vendit apo ato para ndeshjeve në Shqipëri. Për një Tiranë kampione parashikimi ynë është se nevojiten 1 milionë dollarë.”, - thotë Gjini.
Gjini: “Fitorja me Partizanin, autokritikë për tifozët”
Të shtunën në “Qemal Stafa” , Tirana e Partizanin do të luajnë midis tyre derbin e tretë sezonal, një sfidë rivalesh kryeqytetase, që do të përsëritet për të 130-n herë, nga takimi i tyre i parë në sezonin 1947, ku më 30 prill 1947 Partizani fitoi 4-2. Të kuqtë edhe pse me 8 tituj më pak kampionë se bardheblutë (23 të tilla), dominojnë në përballjet direkt me 51 fitore, kundrejt 39 fitoreve të Tiranës, kur në statistika rezultojnë edhe 39 barazime. Në ndeshjen e fundit Tirana humbi thellësisht 4-1, duke humbur shumë nga i imazh fituesi. “Skuadra jonë është plotësisht e impenjuar për të bërë maksimumin. Jemi të mobilizuar dhe dëshirojmë ta fitojmë”, thotë Edi Gjini, shefi i ri i klubit 23-herë kampion i Shqipërisë. “Ky është një objektiv i skuadrës, por edhe një autokritikë para tifozëve tanë”. Para tri ditësh Tirana mbërriti për herë të 20-të në finalen e Kupës së Shqipërisë, duke hodhi një hap të madh drejt fitimit për herë të 14-të të trofeut të dytë më të rëndësishëm, çka do të bënte bardheblutë fituesit e dytë me më shumë kupa, pas Partizanit, më 15 të tilla dhe më të cilin do të ndeshet të shtunën në javën e 29-të Kampionatit të 69-të Kombëtar. “Ishte një kualifikim i vështirë dhe aspak i lehtë. Gjithsesi, finalen e 7 majit kundër Vllaznisë do të luajmë sezonin”, - thotë sekretari, i rehatuar si brenda një muzeu, ku e rrethojnë 43 kupa të fituara nga Tirana në të gjitha kompeticionet, duke filluar nga trofeu i kampionatit të parë të vitit 1930 dhe deri te ai sezonit të fundit 2006-2007. “Janë të fotot e 23 skuadrave kampione që kanë fituar kampionatin. Sa herë i shoh ndihem shumë i emocionuar”.
Nga Temeshvari te Menikini, pse dështuan trajnerët e huaj
Tirana ka parë në drejtimin e saj përveç emrave më të spikatur të trajningut shqiptar edhe tre trajnerë të huaj, duke filluar nga hungarezi Miklosh Temeshvari (2000-2001), boshnjaku Enver Haxhiabdiç (2002-2003) dhe italiani Leonardo Menikini (2005). “Temeshvari ishte një trajner shumë i mirë”, - thotë Gjini. “Ishte një teknik i FIFA-s, i cili jepte leksione trajnerëve në seminare të organizuar nga FIFA. Punoi me Tiranën në kohën e presidentit El-Sajed, por nuk e pati të gjatë kohën e qendrimit, madje nuk e përfundoi as sezonin. U largua pas një rezultati negativ në Berat me Tomorin. Atë vit Tirana humbi kampionatin”. Pas largimit të profesorit hungarez, një boshnjak do të guxonte të drejtonte klubin e famshëm shqiptar. “Enver Haxhiabdiç ishte një teknik mbi nivelin e teknikëve shqiptarë. Ishte njeri i qetë. Ndenjti shumë pak. Nuk arriti të kuptonte kampionatin shqiptar dhe mentalitetin e futbollistëve që drejtonte. U largua pas një ndeshje derbi Partizani-Tirana, ku ekipi ynë humbi”. Italiani Leondardo Menikini u bë trajneri i dytë i huaj që drejtoi një skuadër shqiptare, pas Ticiano Gorit, i cili drejtoi për një gjysmë sezoni Partizanin (2002). “Menikini ishte një trajner i vërtetë profesionist, një teknik i përkryer. Realizonte stërvitje në mënyrë profesionale, solli elementin teknik italian në Shqipëri. Erdhi për një projekt të madh. Nuk u kuptua aq sa duhet dhe u largua pas katër muajsh”. Po përse u larguan ata. Nuk patën cilësinë e duhur, apo u dorëzuan para presionit të lojtarëve shqiptarë. “Ata sollën një risi në kampionatin shqiptar, si në stërvitje ashtu dhe në drejtimin e ndeshjeve. Në Shqipëri ekziston një mungesë profesionalizmi nga ana e lojtarëve, të cilët nuk arritën të asimilojnë skemat e tyre dhe të zbatojnë rregullat strikte që ata imponuan”.
Nga hungarezi Kenesei te francezi Mohelebi
Tirana është klubi me më shumë trofe, 43 në total, duke llogaritur 23 kampionate, 13 Kupa të Shqipërisë dhe 7 Superkupa. Gjithsesi, pas viteve 90’ kontributin e tyre e kanë dhëne edhe disa lojtarë të huaj. “Më i spikaturi mbetet hungarezi Zoltan Kenesei, i ardhur në kohën e El-Sajedit. Ishte një plejmejkër shumë i talentuar. Luajti dy sezone me Tiranën. Bashkë me të luajtën edhe tre hungarezë të tjerë: Peter Sutori, Laszlo Vukovics, Matyas Lazar. Më pas erdhën portieri nigerian Egbo, holandezi Jan Venhof, kolumbiani Penja, kamerunasi Fish, senegalezi Pepe Sene, italiani Daniele Zakanti, nigeriani Abraham. Së fundi erdhën maqedonasi Gjoreski, shqiptari nga Kroacia, Kçira dhe francezi Mohelebi. Ky i fundit, për mua është një lojtar ideal”, - thotë sekretari Edi Gjini.
Mërgim Hereqi, 15-vjeçari që kërkohet nga Çelsi
Një Bojan Kërkiç i ri. Por jo serb, shqiptar. I konsideruar nga ekspertët si një talent i madh. Me “katër yje”, vlerëson dikush. 15-vjeçari Mërgim Hereqi është tifoz i Mançesterit, por adhuron dhe e sheh veten si një Didier Drogba i ardhshëm. E ka parë sulmuesin kryesor të Çelsit nga afër, kur shqiptari që luan në Norvegji për ekipin e të rinjve të Stromsgodset IF u testua vitin e kaluar te “Blutë” e Londrës, duke tërhequr masivisht vëmendjen e medias britanike e sigurisht ato norvegjeze. Sulmues i fuqishëm në lojën në ajër (182 cm), i lindur për të qenë një hap përpara të tjerëve në vendin e duhur, lojtari i përfaqësueses U-16 të Norvegjisë. Hereqi i ka të gjitha shanset që në përfundim të sezonit të jetë pjesë e të rinjve të Çelsit. “Unë e pëlqej Çelsin si klub. Aty ka lojtarë shumë të mirë ”, - u shpreh Hereqi për gazetën Aftonpost. “Ai u la një përshtypje të madhe në kamping dhe Çelsi u interesua për ta pasur për një javë në stërvitje”, - tregon trajneri i të rinjve të Stromsgodset IF, Bjorn Peter Ingrebetsen. Në trajningun në Londër i befasoi të gjithë në ndeshjet testuese ku shkëlqeu në takimin kundër Brajtonit në kampingun e Porsgrun, për të qenë në bllokun e shënimeve të trajnerit të larguar Hoze Murinjo, por edhe në databazën e klubit të miliarderit rus, Roman Abramoviç. Pas kësaj për talentin shqiptar interesohet edhe Reading, klubi tjetër britanik, shkruan faqja norvegjeze dt.no. Gjithsesi, kosovari brenda vetes ka një ëndërr të luajë për fanellën e Shqipërisë, edhe pse ka luajtur për Norvegjinë e ka shënuar për të.
Të hënën në FIFA
Brenda ditës së hënë Shqipëria do të jetë sërish në FIFA dhe UEFA. Raporti i hartuar sot nga drejtori i marëdhënieve me jashtë Zherom Shampanj, i është relatuar kreut të FIFA-s Blater, i cili ka dhënë Ok-in dhe tashmë pritet formalizimi i vendimit. Duke qenë se e shtuna dhe e diela është pushim, një gjë e tillë pritet të ndodhë ditën e hënë.
Konfirmohet Polonia
Edhe pse u fol se miqësorja me Poloninë u anulua, madje u përmend edhe Bosnjë-Hercegovina si zëvendësuese e Shqipërisë, Federata Polake e Futbollit konfirmoi zyrtarisht me anë të një faksi zhvillimin e takimit të 27 majit. Presidenti i Federatës Polake Mikail Listevicz i bëri të ditur homologut të tij, Armand Duka, se takimi do të zhvillohet sipas programit më 27 maj, në Reutlingen të Gjermanisë. Ky do të jetë edhe grumbullimi i parë i trajnerit të kombëtares Ari Han me kombëtaren e madhe. Trajneri holandez do të vijë ditën e shtunë në Tiranë, ku do të ndjekë nga afër derbin mes Partizanit dhe Tiranës.
26 Prill 2008