Kërcënim serb

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se për shpalljen “e paligjshme” të Kosovës janë dashur sponsorë të fortë ndërkombëtarë. Mirëpo ai ka theksuar se, për fat të mirë, ende ekzistojnë ligjet ndërkombëtare dhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Jeremiç ka theksuar se Serbia është duke përdorur të gjithë mjetet diplomatike që ka në dispozicion për të parandaluar këtë vendim “jolegjitim”, siç ka thënë ai, të Prishtinës, por ai ka hedhur kategorikisht mundësinë e përdorimit të forcës me këtë rast. Megjithëse Kosovën tashmë e kanë njohur shumë vende, Jeremiç ka thënë se ajo nuk është njohura nga tre të katërtat e vendeve të botës, duke përmendur Rusinë. Ai ka rikujtuar se pavarësinë nuk e kanë njohur as Kina, si dhe India, Brazili, Argjentina dhe Republika e Afrikës së Jugut, të cilat sipas tij janë vende të rëndësishme. Shefi i diplomacisë serbe ka thënë se aktivitetet e deritashme diplomatike të Serbisë kanë dhënë rezultate, duke thënë se shumë pak vende jashtë familjes Transatlantike nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ai po ashtu ka theksuar se Serbia ka parandaluar anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare. Jeremiç ka paralajmëruar se përpjekjet e Serbisë do të japin rezultatet gjatë muajit shtator në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku sipas tij, do të miratohet një rezolutë, në të cilën do të thuhet se Kosova ka shpallur pavarësinë kundër vendimit të Këshillit të Sigurimit. Ai ka thënë se ky mekanizëm duhet t’ia kalojë këtë çështje Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Vuk Jeremiç ka shtuar se njerëzit në Serbi janë shumë të brengosur dhe të shqetësuar për shkak të situatës në Kosovë, duke thënë se bëhet fjalë për një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe Kushtetutës demokratike serbe.