E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi & Topalli mbrojnë Prokurorinë

Topi përshëndet organin e akuzës që heton Gërdecin me prokurorët e Sollakut. Topalli premton heqje të shpejtë të imunitetit të ish-ministrit për t'i lehtësuar punën drejtësisë

Krerët e lartë të shtetit ishin në një mendje dje, për pranimin e drejtësisë dhe respektimin e organit të akuzës në kërkesën për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut. Presidenti Bamir Topi dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, thanë se me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme kuptojnë integritetin e shumicës qeverisëse dhe besimin tek drejtësia. Me deklaratat e tyre, ata gjithashtu lanë të kuptohet se nuk pajtohen me qëndrimin e republikanëve, që kritikuan prokurorinë për ndikim politik dhe trajtim tendencioz të rolit të Mediut pas tragjedisë së Gërdecit. Topi tha se prokuroria nuk duhej paragjykuar, ndërsa Toaplli shfrytëzoi rastin për t’iu kthyer idesë së PD-së për kufizimin e imunitetit të deputetëve. Topi dhe Topalli i bënë komentet, pasi u uruan Pashkët shqiptarëve ortodoksë.
Topi: Politikanët të mos paragjykojnë Prokurorinë
Puna e Prokurorisë së Përgjithshme për hetimin e ngjarjes së Gërdecit, sipas presidentit Bamir Topi, po bëhet në mënyrë korrekte. Kjo deklaratë e presidentit vjen në një çast kur hetimet e Prokurorisë së Përgjithshme kërkojnë hetimin penal të ish-ministrit të Mbrojtjes. Ndonëse presidenti Topi theksoi rolin e sotëm të Prokurorisë së Përgjithshme, që sipas tij është jo më politik, një pjesë e madhe e prokurorëve janë ende ata të kohës së Theodhori Sollakut, të cilin e shkarkoi pas raporteve të dy komisioneve hetimorë të Kuvendit. Po ashtu, prokurorët Kujtim Luli dhe Zamir Shtylla, i cili ky i fundit sot udhëheq grupin hetimor për Gërdecin, kanë qenë drejtorë në kohën e Sollakut.Ndërsa vetë Mediu dhe republikanët i kanë cilësuar si të njëanshme deklaratat e kryeprokurores Ina Rama, presidenti Topi del në mbrojtje të punës së prokurorisë. “Prokuroria po bën një punë korrekte dhe kjo vërteton edhe paanshmërinë e saj. E rëndësishme është që të jeni të sigurt, që nuk ka absolutisht asnjë lloj influence politike mbi këtë institucion, asnjë lloj influence klienteliste. Dhe ky është momenti i rikthimit të besimit te ky institucion, i cili për vite me radhë ka qenë mjaft i politizuar”, - tha presidenti Topi, i cili ndodhej në Kishën Ortodokse për të uruar besimtarët për Pashkët. Kreu i shtetit tha gjithashtu, se do të dëshironte “që të gjithë politikanët me radhë, që shtatëmbëdhjetë vjet i kemi dëgjuar duke u shprehur nga mëngjesi deri në mbrëmje për shtetin e së drejtës, shtetin ligjor, në momentin kur fillon të funksionojë ligji, të gjithë duhet ta përgëzojnë dhe të mos paragjykojnë”.
Topalli: Imuniteti i Mediut, njësoj si i ministrit Basha
Procedura për heqjen ose jo të imunitetit të deputetit dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, kryetarit republikan Mediu, do të jetë e njëjtë me atë rrugë që është ndjekur për heqjen e imunitetit të ministrit të Jashtëm, Lulëzim Bashës, për t’u hetuar mbi shkeljen e procedurave të tenderimit në pjesë të rrugës Durrës-Kukës. Kjo është konfirmuar dje nga kryekuvendarja Jozefina Topalli. “Menjëherë, në bazë të Rregullores së Kuvendit, do t’u dërgohen shkresat anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet. Këshilli do të mblidhet sapo të njihet me materialet dhe do të procedohet në bazë të Rregullores dhe Kushtetutës, sikurse është vepruar edhe në rastet e tjera”, - tha Topalli pas vizitës në selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Topalli kujtoi edhe njëherë idenë e Partisë Demokratike për heqjen e imunitetit për të gjithë deputetët. “Në fakt, vlen për t’u theksuar se sa të drejtë kishim në fillim të vitit 2005, kur kërkuam heqjen e imunitetit për të gjithë deputetët. Kjo është zgjidhja më e mirë. Ky është rasti, me anë të të cilit i japim vetes moralin më të fortë dhe profilin e një politikani me integritet”, - tha ajo. Topalli theksoi se ky rast mund të rikthejë diskutimet mbi heqjen e imunitetit të të gjithë deputetëve.

Bamir Topi
“Prokuroria po bën punë korrekte. Jemi mësuar gjithmonë që t’i trajtojmë gjërat politikisht edhe për institucione, të cilët janë ligjorë dhe kushtetues, ku në radhë të parë nuk bëhet politikë, por punohet me profesionalizëm. Unë do të doja që të gjithë politikanët me radhë, që 17 vjet i kemi dëgjuar duke u shprehur nga mëngjesi deri në mbrëmje për shtetin e së drejtës, shtetin ligjor, në momentin kur fillon të funksionojë ligji, të gjithë duhet ta përgëzojnë dhe të mos paragjykojnë. Të kemi besim tek institucionet dhe s’duhet të paragjykojmë asgjë dhe të presim që gjërat edhe në rastin konkret, të hetohen dhe të trajtohen me shumë profesionalizëm. E rëndësishme është që sot, në prillin e vitit 2008, të jeni të sigurt që nuk ka absolutisht asnjë lloj influence politike mbi këtë institucion, asnjë lloj influence klienteliste. Dhe ky është momenti i rikthimit të besimit te ky institucion, i cili për vite me radhë ka qenë mjaft i politizuar”.

Jozefina Topalli
“Menjëherë, në bazë të Rregullores së Kuvendit, do t’u dërgohen shkresat anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet. Këshilli do të mblidhet sapo të njihet me materialet dhe do të procedohet në bazë të Rregullores dhe Kushtetutës, sikurse është vepruar edhe në rastet e tjera. Në fakt, vlen për t’u theksuar se sa të drejtë kishim në fillim të vitit 2005, kur kërkuam heqjen e imunitetit për të gjithë deputetët. Kjo është zgjidhja më e mirë. Ky është rasti me anë të të cilit i japim vetes moralin më të fortë dhe profilin e një politikani me integritet. Unë uroj që të shfrytëzohet edhe ky rast, meqenëse herët e tjera nuk është shfrytëzuar, në mënyrë që të gjithë deputetët të pranojnë që të mos i njohin vetes imunitetin në raport me fenomene të caktuara. Ky është politikani i vërtetë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›