Sulm republikan

Nis lufta e PR-së ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. Madhi: Do të faktojmë arsyet e vërteta të kërkesës së kryeprokurores Ina Rama
Republikanët ashpërsuan përsëri qëndrimin ndaj Prokurorisë të Përgjithshme, duke vënë në dyshim paanshmërinë për rastin e hetimit të kryetarit të tyre, Fatmir Mediut. Njësoj si dy ditë më parë, kur Fatmir Mediu doli para mediave dhe akuzoi prokurorinë për mungesë profesionalizmi dhe dezinformimi të publikut, edhe kreu i grupi parlamentar republikan, Arian Madhi, ka akuzuar prokurorinë për mungesë profesionalizmi dhe për dezinformim të opinionit publik. Të dyja deklaratat e krerëve të lartë të Partisë Republikane kanë qenë të shoqëruara me dokumente që synonin të hidhnin poshtë pretendimet e kryeprokurores Ina Rama, pretendime mbi të cilat ajo ka ngritur edhe kërkesën për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut. Ndërkohë, pas “kërcënimit” të Fatmir Mediut se nuk “do të tolerojë që përgjegjësitë e tij morale t’i kthejë në përgjegjësi ligjore”, edhe kreu i grupit parlamentar, Arian Madhi, “kërcënon” se PR-ja do të bëjë të gjitha përpjekjet për të faktuar arsyet e vërteta të vonesës 45-ditore të kërkesës së prokurorisë dhe arsyet e deklaratave të kryeprokurores Ina Rama, që sipas Madhit, janë dezinformuese. Ditën e djeshme, grupi parlamentar i Partisë Republikane ka dalë në mbrojtje të kreut të tij, Fatmir Mediu, të cilit Prokuroria e Përgjithshme i kërkon heqjen e imunitetit dhe vendosjen e tij në bankën e të akuzuarve. I pyetur për qëndrimin që do të mbajë grupi parlamentar në momentin kur do të votohet heqja e imunitetit të Fatmir Mediut në Parlament, Madhi tha la të kuptohet se nuk është vendosur akoma një qëndrim, ndërsa tha se kërkesa e prokurorisë fillimisht do të shqyrtohet, dhe pastaj do të merret edhe një vendim në grup, për mënyrën e votimit për imunitetin e kreut të tyre. Duke iu përgjigjur interesimit të medias, Madhi tha se nuk sheh asnjë lidhje mes kërkesën së prokurorisë për heqjen e imunitetit të Mediut me kërkesën e republikanëve për t’u rikthyer në qeveri. “Në kohën kur ishte firmosur kërkesa e prokurorisë, Asambleja Kombëtare e Partisë Republikane nuk e kishte marrë vendimin dhe kështu që nuk ka ndonjë lidhje”, tha Madhi, duke i cilësuar kundërshtimet e tyre vetëm ndaj “joprofesionalizmit të prokurorisë”. Ndërsa për rikthimin e republikanëve në qeveri, Madhi tha se “Partia Republikane nuk e ka humbur të drejtën për të qenë pjesë e qeverisjes”, duke lënë të kuptohet se negociatat me Partinë Demokratike për vendin e tyre në qeveri mund të vazhdojnë.