Ceka: Të hiqet moratoriumi

Aleancisti ka depozituar kërkesën në Kuvend për të hequr moratoriumin e skafeve, pasi mendon se vazhdimi i ligjit që po mbush afatin e përcaktuar 3-vjeçar, do të ishte i kotë dhe do të dëmtonte turizmin.
Shqiptarët mund të fillojnë të lëvizin që këtë verë qetësisht në det me mjete motorike, çka iu është ndaluar dy vitet e fundit. Javën e ardhshme, në Komisionin e Ligjeve e më pas edhe në komisionet e tjera Kuvendi pritet të shqyrtojë propozimin e aleancistit Neritan Ceka për shfuqizimin e moratoriumit të skafeve. Neritan Ceka kërkon që t’i jepet fund moratoriumit për mjetet motorike lundruese, që tashmë është duke u zbatuar që prej prillit të 2006-ës. Ish-ministri i Brendshëm, aktualisht presidenti i PAD-së, e shikon si një pengesë serioze për ecurinë normale të sezonit turistik, vazhdimin e ndalimit të lëvizjes së mjeteve motorike lundruese në hapësirën tonë detare. Për më tepër, Ceka e shikon normale tashmë situatën e trafikut të paligjshëm përmes detit. “Natyrisht që mund të quhet një rrezik në nivelin e të gjithë vendeve të tjera rajonale, të Greqisë, Malit të Zi e Kroacisë dhe s’kemi pse të mbajmë ligje të cilët kanë efekte negative mbi turizmin. Pra, efekti i këtij ligji mbaron në nëntor. Ne s’kemi pse përjashtojmë këtë verë për arsye tre ose katër muajsh, derisa efekti është realizuar dhe duhet që ta heqim përpara sezonit turistik. Kjo është arsyeja që e kam propozuar”, - sqaroi për “Korrierin” presidenti i PAD-së. Sipas Cekës, është jashtë logjike vazhdimi i zbatimit të këtij ligji, ndërsa efekti i tij ka qenë thuajse zero. Për këtë arsye, Ceka ka dorëzuar që më datë 18 prill në Kuvend, një kërkesë për shfuqizimin e moratoriumit, që krijoi atëherë një debat shumë të gjerë. “Është një iniciativë e nisur nga fakti që efekti i këtij ligji ka qenë, për mendimin tim, pothuajse zero, por sidoqoftë realiteti nuk e pranon këtë ligj. Pra, nuk kemi një shqetësim për kalime të paligjshme të Adriatikut. Ka një kontroll të plotë qoftë nga rojet tona bregdetare, por edhe nga organizma që janë krijuar për këtë qëllim, organizma dypalëshe italo-shqiptare. Unë besoj që duhet të miratohet, ose përndryshe qeveria duhet të japë pastaj argumente për zgjatjen e këtij ligji”, - deklaroi Ceka. Në relacionin shoqërues, presidenti i PAD-së nënvizon se anëtarësimi në NATO do të jetë një provë e sigurisë së bregdetit nga strukturat e specializuara shqiptare. Sipas tij, nevoja për zhvillimin e turizmit normal dhe e biznesit që lidhet me mjetet turistike, qytetarëve shqiptarë iu duhet kthyer e drejta për të përdorur mjete lundrimi. Ligji që ndalon lëvizjen e mjeteve motorike lundruese u miratua më 3 prill 2006. Debatet atë kohë ishin të shumta dhe jo vetëm nga opozita, por edhe asokohe, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Spartak Ngjela, e kundërshtoi ashpër. Gjithsesi, pas ca “rregullimesh”, nga vërejtjet e bëra ligji kaloi në Kuvend me votat e mazhorancës në pushtet, ndërsa socialistët ironizonin, se për shkak të rrezikut të trafikut, nuk duhet të lejohej edhe përdorimi i automjeteve. saqellari@korrieri.com