Regjistrohen kontributet e pensioneve

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përfunduar informatizimin e bazës së të dhënave për të vetëpunësuarit në bujqësi që kanë paguar kontribute për sigurimet shoqërore për vitet 2006 dhe 2007. Përparësitë e sistemit të informatizimit kanë identifikim të menjëhershëm të sigurimit për çdo të vetëpunësuar në bujqësi, dhe dhënien e përfitimeve që rrjedhin nga sigurimi shoqëror. Baza e informatizimit të dhënave kontributive për të vetëpunësuarit në bujqësi është krijuar sipas regjistrave të kontributeve që ekzistojnë në të gjitha komunat e Republikës së Shqipërisë qysh nga viti 1993, kur ka hyrë në fuqi ligji nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Në këtë kategori të siguruarish bëjnë pjesë të gjithë ata fermerë që plotësojnë kushtet ligjore për të hyrë në këtë skemë dhe që duhet të paraqesin në momentin e regjistrimit dokumentacionin e që vërteton këtë fakt. Baza e të dhënave identifikon pagesën e kontributeve në vitet korresponduese për ISSH-në për çdo komunë dhe për çdo person. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, identifikimi i personit bëhet dhe me gjeneralitet e nevojshme. Fakti që është bërë çekimi me bilancet financiare për të gjitha strukturat dhe për personat e siguruar në veçanti, për sigurimin e tyre tashmë verifikohet vërtetësia në masën 100 për qind. Përparësitë e sistemit të informatizimit janë të shumta. Regjistrimi ndër të tjera shmang në mënyrë të plotë abuzimet për personat që duan të përfitojnë padrejtësisht nga organet e sigurimeve shoqërore. Krijon mundësinë për analiza ekonomiko-financiare në mënyrë sistematike, duke pasur mundësinë e një sërë treguesish statistikorë të kontribuuesve sipas strukturave të ISSH-së ku sigurohen, ndarjet territoriale, grupmoshave etj. Po ashtu, kjo mënjanon veprimin e faktorëve të jashtëm, që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e arkivave, regjistrave e dokumentacioneve të tjerë financiarë. Shkurton kohën e informacionit për të gjitha strukturat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, krijon bazën kombëtare unike për të gjithë vendin të azhornuar, duke monitoruar çdo kontributpagues dhe informon sistematikisht në kohë fermerët për periudhën që janë siguruar dhe për shumat e paguara. Sigurimi nga të vetëpunësuarit në bujqësi bëhet më vete për secilin kontribuues, pavarësisht nga forma e veprimtarisë private që ata kryejnë. Sipas nenit 34 të ligjit nr. 7703, personat e siguruar për një kohë më pak se 35 vjet dhe më shumë se 15 vjet sigurimi (ndryshuar me ligjin 9337, datë 21.04.2005, nga 20 vjet që ishte), kanë të drejtë të përfitojnë pension të pjesshëm pleqërie kur kanë arritur 65 vjeç burri dhe 60 vjeçe gruaja. Duke siguruar periudhat nga viti 1993 deri në periudhën e plotësimit të moshës për pension, bëhet e mundur për ato persona që, për arsye të ndryshme nuk arrijnë të kenë vitet e mjaftueshme për pension të pjesshëm, me derdhjen e kontributeve si fermer arrijnë ta përfitojnë atë. Kjo vlen edhe për ato persona të cilët për arsye shëndetësore bëhen invalidë. Me daljen e VKM nr. 167, datë 29.03.2006 (hyrë në fuqi më datë1 prill 2006), janë bërë disa përmirësime dhe janë krijuar mundësi të reja për të zgjeruar skemën e këtij sigurimi. Sipas këtij vendimi në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi përveç fermerëve që kanë përfituar tokë nga ligji nr. 7501, datë 19. 07. 1991 “Për shpërndarjen e tokës”, përfshihen dhe ata fermerë që kanë marrë tokë me qira, ata që e kanë blerë, apo dhe forma të tjera tjetërsimi, me dokumentacion të rregullt ligjor.