Gjinushi: Meta thërret nga halli për bashkim
Kreu i PSD, pas takimeve në Qarkun e Lezhës, e ka mbyllur fushatën me simpatizantë, mbështetës socialdemokratë në Rrilë-Barbulloi. Duke komentuar ftesën e kryetarit të LSI-së për bashkim të së majtës, Gjinushi u shpreh se "ftesa e Ilir Metës është një ftesë dëshpëruese, taktikë që bëhet nga halli, kjo është një lëvizje vetëm për të shpëtuar Metën, i cili duke e ndjerë që tashmë votuesit e kanë kuptuar që nuk do të bëjnë më gabimin e 2005, që duke votuar Metën, votuan pa dashje për Berishën, pra çuan në humbjen e së majtës, pra që LSI çante votën". Më tej ai theksoi se "Nanos dhe Metës mund t‘i thuash vetëm një gjë: në qoftë se ata do të kishin këtë vullnet që të mos ndahej e majta, po të ishin takuar një javë para në 2005 Berisha nuk vinte në pushtet". Pra, vijoi ai, në 2005 po të donin ata vërtet të shpëtonin të majtën dhe të mos rikthehej Berisha, një tavolinë 5 minuta do të kishte shpëtuar Shqipërinë.