E Diel, 1 Nëntor 2026

Mima: Premtojmë se do të ulim tatimin mbi pagën

Kandidatët e PD-së në Qarkun e Tiranës premtojnë lehtësira për biznesin, por edhe për punonjësit në lidhje me taksat. Florion Mima premtoi dje se qeveria në mandatin e dytë do të rrisë pagën minimale dhe do të ulë tatimin për pagën 20 mijë lekë. Kandidatët e Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, Majlinda Bregu, Florion Mima, Viktor Gumi dhe Indrit Fortuzi, u takuan me punonjës dhe administratorët e fabrikës së këpucëve "Filanto", në rrugën "Don Bosko" në kryeqytet. "Ndërsa punonjëset e fabrikës pohuan se 4 vjet më parë paguheshin rreth 10 mijë lekë të reja në muaj, tani paga e tyre është rritur 80%", tha kandidatja Majlinda Bregu. Kandidatët e PD-së u njohën me kushtet e punës dhe ndryshimet që ka pësuar ky biznes pas uljes së taksave dhe furnizimit pa ndërprerje me energji elektrike. Administratorët e fabrikës theksuan se reforma e taksave dhe klima mbështetëse për biznesin i ka ndihmuar ata për të shtuar linjat e prodhimit dhe për të hapur më shumë vende pune. "Kur erdhëm në pushtet, miliona lekë shkonin për gjeneratorët, ndërkohë që aktualisht në Tiranë ka drita 24 orë", tha Bregu.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›