E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ndjekje penale, kush shantazhon votën"

Korça paralajmëron fitoren e fuqisë së ndryshimit. Me këtë mesazh e ka nisur mitingun mbyllës kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin e fundit për këtë fushatë në Qarkun e Korçës. "20 ditë më parë ju i dhatë Shqipërisë sinjalin e dallgës së madhe të ndryshimit. Sot, kjo dallgë është ngritur në gjithë Shqipërinë, duke frymëzuar Shkodrën, Sarandën, Vlorën e gjithë vendin", deklaroi Rama. Ai vuri në dukje se para 20 ditëve në Korçë ishin qytetarët e saj që i dhanë nxitje gjithë Shqipërisë dhe sot kjo është fytyra e re e ndryshimit që po vjen në vend, fytyra e fitores, e qyteteve që kërkojnë të renë që do të vijë pas pesë ditësh me një qeverisje të qytetarëve dhe për qytetarët. "Kjo nuk është beteja e radhës për të ndryshuar një parti me një tjetër, një qeveri me një tjetër, por për të mbyllur një epokë dhe për të hapur një epokë të re. Kjo është një betejë që do të kthejë fletët e historisë të fëmijëve që nuk kanë libra, e të moshuarve pa ilaçe, e bujqve që nuk kanë fuqi, kjo është beteja e sipërmarrësve që nuk kanë liri, e nëpunësve që nuk kanë mbrojtje. Kjo është beteja e Shqipërisë, e të sfiliturve nga varfëria, e Shqipërisë së goditur nga dhuna, e Shqipërisë së gërryer nga korrupsioni", u shpreh Rama para qytetarëve të Korçës. Me kandidatët përkrah tij, Rama u shpreh se do të fitojë thellë zgjedhjet e 28 qershorit. "Ne do të fitojmë që të mos humbasin më atë që kanë humbur gjithmonë, qytetarët, e të fitojnë ata që kanë fituar gjithmonë, pushtetarët. Ne do të fitojmë për qindra e mijëra familje të ndara më dysh nga emigracioni, që Shqipëria qysh vitin e ardhshëm të mos ketë kufij. Kjo nuk është një betejë e shqiptarëve socialistë e demokratë, por e gjithë shqiptarëve të bashkuar kundër një politike të vjetër. Kjo është beteja e prindërve shqiptarë, që nuk i kanë fëmijët dele për t‘i marrë nga shkollat të shtunën e të dielën e për t‘i çuar si kope në mitingjet e tij Sali Berisha", deklaroi Rama. Ai kërkoi votën e shqiptarëve më 28 qershor, duke dhënë mesazhin se kjo votë do të mbrohet nga kërcënimet dhe shantazhet. "Ne do të fitojmë më 28 qershor për shtetin e të gjithë shqiptarëve dhe jo për një qeveri që bën biznes vetëm për një familje të vetme, nga e cila përfitojnë vetëm shërbëtorët dhe klientët e saj. U bëj thirrje atyre drejtorëve që të mos kërcënojnë vartësit e tyre për të votuar me pahir dhe ta lënë kryeplakun e politikës së vjetër sepse çdo denoncim të çdo qytetari për marrje të votës me detyrim, ne do ta bëjmë pjesë të shkeljeve penale. Të gjithë shantazhierët e Sali Berishës nuk do të gjejnë vrimë ku të futen më 29 qershor", nënvizoi Rama. "Ne, vijoi ai, do të fitojmë që të mos ketë më shqiptar e shqiptare që të kërcënohet me bukën e gojës se ka bindje të kundërta me partinë në pushtet. Rama u shpreh i bindur se në Korçë do të fitojë thellë si në të gjithë Shqipërinë, madje me rezultat më të lartë se dy vjet më parë në Tiranë, sepse ka fuqinë e jashtëzakonshme të një ekipi kandidatësh që tregojnë kulturën, dinjitetin dhe traditat e Korçës. Ky qytet e ka kthyer këtë miting mbyllës të fushatës elektorale të Partisë Socialiste si rrallëherë në një ditë feste me fishekzjarrë të shumta në sheshin kryesor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›