Ruçi: E vlerësoj Fatos Nanon si intelektual, por ai po gabon
Gramoz Ruçi, kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Politike, ka komentuar dje deklaratat e fundit të Fatos Nanos dhe nismën e pasuksesshme të kreut të LSI-së për të mbledhur në një tryezë krerët e së majtës. Ruçi, i cili kryeson listën e kandidatëve të PS-së për Qarkun e Fierit, në një takim të zhvilluar me banorë të fshatit Imsh të Komunës Bubullimë të Lushnjës, nuk i është shmangur dot pyetjes së një banori lidhur me dy daljet e fundit të ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano. Ruçi e ka nisur përgjigjen me një vlerësim për Nanon, por nuk ka pranuar asnjë nga lëvizjet dhe deklaratat e tij. "Duhet të kini parasysh një gjë, që unë kam bashkëpunuar më shumë nga të gjithë ju që më keni mbështetur mua dhe Fatos Nanon. Unë kam qenë bashkëpunëtori i tij më i afërt. E kam vlerësuar për vlerat e tij si intelektual, si politikan dhe për katër vjet burg që ka bërë nga diktatori Sali Berisha, por kurrë nuk e kisha imagjinuar, ashtu si dhe ju, që para 15 ditësh ai të dilte dhe t‘u thoshte shqiptarëve: mos votoni partinë që unë krijova, që më mbajti si idhull, më mbajti në krahë 15 vjet, por votoni për Sali Berishën. Kjo është e papranueshme për ju si qytetarë, si shqiptarë, por edhe për mua", u shpreh Gramoz Ruçi. Në kuadër të kësaj deklarate, kryetari i shtabit të deputetëve për Qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi, vijoi duke thënë se "unë e dëgjova edhe thirrjen e bërë për bashkim dhe siç e patë, nuk u mora as me të dhe as me ata që e ideuan. Ju e keni parë që për afro një muaj e ca fushatë nuk jam marrë me emra të përveçëm politikanësh, përjashto këtu diktatorin Berisha dhe oborrin e tij familjar e politik. Një nga arsyet që ky vend ka mbetur kaq prapa është numri galopant i partive në Parlamentin shqiptar". Ruçi deklaroi se lëvizja e Nanos dhe e Metës ishte elektorale për të hedhur hi syve, se Ilir Meta nuk do të bëjë koalicion me Sali Berishën.